Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Prokuroria, Ministria e Rendit dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë kanë përgëzuar sot punën e strukturës task-force kundër krimit të organizuar. Kryeprokurori Sollaku, ministri i Rendit Toska dhe i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane Tod Robinson, janë mbledhur së bashku duke shprehur mbështetjen për këtë strukturë të përbashkët polici-prokurori.
Theodhori Sollaku: “Neve kemi vënë në lëvizje të gjitha strukturat të dy dikastereve për t’iu qëndruar afër gjithë njerëzve që punojnë në këtë forcë. Unë ju garantojë që dhe në të ardhmen duke pasur mbështetjen e partnerëve tanë, do të keni pranë në luftën tuaj të rëndësishme dhe të guximshme në luftën kundër krimit të organizuar, prezenca e prokurorit të përgjithshëm dhe gjithë strukturave të zyrës së këtij institucioni.”
I ngarkuar me punë i ambasadës amerikane në Tiranë është shprehur se task-force në muajt që ka filluar të funksionojë ka krijuar reputacionin e saj në zgjidhjen e disa çështjeve të ndërlikuara, përsa i përket trafiqeve dhe korrupsionit.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA nëpërmjet komponentëve të tij në Shqipëri, ICITAP dhe OPDAT, ka dhuruar sot disa pajisje për task-force kundër krimit të organizuar./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj