Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka kërcënuar partitë shqiptare se nuk do të ftojë në koalicion asnjërën prej tyre nëse mandatin e kanë fituar në mënyrë jo të rregullt zgjedhore.

Në një konference për mediat të mbajtur në Shkup Gruevski, fitues i mbi 60 mandateve në zgjedhjet e 1 Qershorit, tha se nëse mandati i këtyre partive ishte i parregullt atëherë VMRO-DMPNE nuk do të kishte një partner shqiptar në qeverinë e re.

E ndërsa paralajmërimet për parregullsi dhe incidente në rivotimet e 15 Qershorit janë shtuar Gruevski siguroi se institucionet e shtetit janë të gatshme në mënyrë tejet energjike të veprojnë kundër të gjithë individëve apo grupeve që do të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor.

Këtë mesazh tha ai ia kam përcjellë edhe liderëve të partive politike shqiptare. Nëse dikush tenton që të veprojë në mënyrë të kundërt atëherë as edhe një lider politik nuk do të shpëtojë nga sanksionet, theksoi Gruevski, i cili dënoi sërish incidentet e 1 Qershorit, që sipas tij i sollën një turp të madh Maqedonisë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle