Enti Rregullator i Energjisë ka hapur procedurën për të miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë në 2018-tën. Tashmë pritet që dy kompanitë OSHEE dhe OST të dërgojnë aplikimin pranë Entit për të bërë propozimin e çmimit të ri. ERE do të marrë dy vendime të ndryshme në fund të muajit dhjetor, një për përcaktimin e tarifës që Operatori i Transmetitmit do të vendosë mbi kompaninë e shpërndarjes për përdorimin e rrjetit, dhe një tjetër për çmimin që OSHEE u shet energji konsumatorëve.
ERE ka ndryshuar edhe mënyrën se si do të vlerësojë çmimin për konsumatorët fundorë. Tashmë në aplikimin e kompanisë OSHEE do të llogariten edhe të ardhurat e reja të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve nga lidhjet në rrjet apo marrëveshja për blerjen e energjisë për humbjet me çmim më të mirë nga KESH. Edhe pse duhej, deri më sot këto të ardhura nuk janë llogaritur në çmimin që ERE ka vendosur për konsumatorët, duke sjellë tarifa më të larta për ta.
Në këtë vendim bordi i ERE-s vendos si kusht që të ndryshojë çmimin e energjisë nëse kompania e shpërndarjes dështon me planin e investimeve.
Aplikimet për çmimin e ri të energjisë duhet të ishin bërë në fillim të muajit tetor, por operatorët ende nuk kanë arritur të mbyllin propozimet.
Pritet që vendimi për çmimin e ri të hapë një luftë mes aktorëve në këtë treg. Ky ka qenë një vit me shpenzime të larta për OSHEE-në, ndërsa të tre kompanitë KESH, OST dhe OSHEE vijojnë të kenë borxhe ndaj njëra–tjetrës. Nga ana tjetër autoriteti i konkurrencës dhe komisioni parlamentar përgjegjës për çështjet e energjisë i ka rekomanduar ERE-s ulje të çmimit të energjisë. OSHEE rezultoi në 2016-ën me 85 milion euro fitim neto.
Tv Klan