Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Është krejtësisht i mundur transferimi i të dënuarve me vendim të formës së prerë, që aktualisht qëndrojnë në dhomat e paraburgimit të komisariateve, në qelitë e burgjeve.

Urdhri i Ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafaj, ka ardhur pikërisht pas miratimit të organikës në burgun e Peqinit, gjë që krijon automatikisht mundësinë e hapjes së 300 vendeve, vetëm në këtë burg. Transferimi sipas Zv/ministrit të Drejtësisë Anastas Duro, ka nisur një ditë më parë.

Anastas Duro: “Transferimi do fillojë njëkohësisht në të gjitha rrethet. Nuk është më prioritar sipas rretheve, ka rrethe që kanë më shumë, ose që janë me kushte më të vështira, për atë është bërë një program nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bazë të disa investimeve të bëra në burgun e Rrogozhinës është shtuar kapaciteti në 120 persona. Po kështu me hapjen të seksionit të veçantë të burgut të Peqinit, i cili nuk ishte i gatshëm për të funksionuar deri më sot është bërë e mundur hapja e këtij seksioni me një kapacitet prej 300 personash”.

Urdhri i ministrit Xhafaj ka mbërritur në zyrën e ish-drejtorit të burgjeve Ramadan Hasanaj, i cili do ta kryej këtë detyrë derisa kryeministri Nano të firmosë dorëheqjen e tij. Prej disa muajsh Hasanaj kishte kërkuar miratimin e menjëhershëm të organikës në burgun e Peqinit, në mënyrë që të zgjidhej problemi i mbipopullimit në komisariate, si dhe pasojat që vinin prej tij.

Vetëm muajt e fundit ka pasur të paktën dy raste në komisariate, ku të dënuarit me vendim të formës së prerë janë revoltuar, për shkak të kushteve skandaloze në dhomat e paraburgimit./tvklan.al