Ministria e Turizmit së bashku me Ministrinë e Arsimit lançuan nismën për gjelbërimin e shkollave. Për të dytin vit radhazi, ky aksion synon të kthehet në një traditë për të gjitha shkollat.
“Më datën 1 dhe 2 Mars që ne i kemi përcaktuar si ditët e pemëve, tashmë për ta futur në një traditë në të gjithë vendin ne të kemi realisht aktivitete nga çdo shkollë. Çdo shkollë ka mundësi që të organizojë nxënësit e klasave dhe kemi një dakordësi me Ministrinë e Arsimit që data 1 Mars e cila është ditë shkolle, të ketë disa orë të dedikuara aksionit të mbjelljes së pemëve nga nxënësit e klasave dhe të kemi një mundësi të vërtetë organizimi në të gjithë Shqipërinë për të krijuar momentin e parë të një shoqërie e cila mendon për natyrën”
, shprehet ministri Klosi.
Sipas Klosit, me aksionin për gjelbërimin e vendit synohet mbrojtja nga erozioni.
“Ne na duhet që këtë ta kthejmë në një aksion shumë më të madh që ka të bëjë me mbrojtjen nga erozioni, me gjelbërimin e zonave që për vite e vite kanë qenë vend-depozitime për mbetjet urbane, na duhet që ta kthejmë këtë në një aksion që pemët për komunitetin, sidomos për zonat rurale të shndërrohen në një fuqi ekonomike”.
Klosi tha se në të gjitha zonat e mbrojtura do të ketë nga një hapësirë të dedikuar për çdo shkollë të vendit, për të promovuar vlera pozitive për mbrojtjen e natyrës.
Tv Klan