Kryeministri Edi Rama bëri publike këtë të diel, Diellën, asistenten virtuale në aplikacionin e-Albania, por në videon që ai postoi vërshuan komentet. Dhe siç e ka bërë zakon tashmë, njërit prej tyre i ktheu përgjigje në kohë reale.

Kryeministri u shpreh se sot janë 3.2 mln qytetarë dhe biznese të regjistruara që kanë marrë qoftë edhe një herë të vetme shërbim në e-Albania. Ai theksoi se që prej nisjes, e-Albania ka hequr 45 milionë qëndrime në radhë dhe duke i dhënë ato shërbime nëpërmjet telefonit. Sipas tij, e-Albania është fryti më kuptimplotë i revolucionit antikorrupsion.

“e-Albania ka dhënë 45 milionë shërbime. Pra 45 milionë qëndrimet në radhë, me ecejaket dhe bakshishet përkatëse të asaj epokës para e-Albania, janë eliminuar. 15.2 mln shërbime janë marrë nga e-albania vetëm në 2024. Rreth 15% më shumë se një vit më parë. Meqë ju zonja Agime, që ku i dihet, mbase nuk jeni fare zonja Agime, por zonjës i keni marrë emrin për të sharë qeverinë me profil false. Gjithsesi ankohesh për certifikatën, po ju informoj se e-Albania ka gjeneruar 23 milionë certifikata të Gjendjes Civile në kohë reale, bam, bam. Nga të cilat 7.2 milionë certifikata vetëm në vitin 2024. E pra e-Albania është deri më sot fryti më kuptimplotë i revolucionit tonë antikorrupsion sepse ka eliminuar 45 milionë kontakte fizike mes qytetarit dhe administratës. U ka kursyer qytetarëve orë të pafundme, stres, pritje, pasoja, nga mosmarrja në kohë e shërbimeve. Jo më kot, për shkak të e-Albania-s Shqipëria vlerësohet jo nga ne, por nga organizmat ndërkombëtare si një nga vendet e përparuara europiane në qeverisjen elektronike. E mira nuk ka fund, e keqja harrohet shpejt. Mesa shoh shumëkujt i duhet kujtuar që deri dje kur nuk ekzistonte kjo platformë shërbimet ishin një tmerr, ishin hap e xhep. Sot gjithçka ka ndryshuar”, tha Rama.