Franca shënon 10-vjetorin e sulmeve terroriste ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo. Më 7 Janar 2015, zyrat e Charlie Hebdo u sulmuan nga dy persona të armatosur, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi, të cilët vranë 12 persona.
Sulmi u pasua një ditë më vonë nga vrasja e një policeje nga Amedy Coulibaly, i cili vepronte ne emër të Shtetit Islamik. Të nesërmen ai sulmoi një supermarket hebre në Paris, ku vrau katër persona të cilët i mbajti peng përpara se policia ta vriste.
Vrasjet shkaktuan zemërim global kundër sulmeve ndaj lirisë së shtypit, ku të gjithë u sensibilizuan me sloganin “Je suis Charlie“. Disa ditë pas sulmit, liderët botërorë iu bashkuan presidentit të atëhershëm francez Francois Hollande në një marshim për solidaritet.
“Të jesh president do të thotë të veprosh. Në atë rast, bëhej fjalë për neutralizimin e terroristëve dhe për të garantuar sigurinë e francezëve”, tha Francois Hollande.
Hollande kritikon edhe miliarderin Elon Musk kur fliste dikur për lirinë e fjalës.
“Liria e shprehjes kërcënohet kur organizata shumë të mëdha, përdorin mjete teknologjike. Elon Musk ka fuqinë për të lejuar publikimin e çdo opinioni në rrjetet sociale, kur pikërisht këto rrjete po shtrembërojnë lirinë e fjalës. Ky ishte absolutisht rasti në lidhje me karikaturat të Profetit Muhamed që botoi Charlie Hebdo. Liria e fjalës mund të denoncojë, por ajo kurrë nuk është një thirrje për urrejtje ose diskriminim. Fatkeqësisht terrorizmi është përhapur gjithandej”, tha Hollande.
Peter Cherif, i akuzuar si ‘arkitekti’ i sulmit në Charlie Hebdo, u dënua me burgim të përjetshëm më 3 Tetor 2024.
2015 ishte një vit ku u kryen një sërë sulmesh terroriste në Francë, që kulmoi me sulmet e 13 Nëntorit në Teatrin Bataclan, Stade de France dhe në restorante në Paris.
Klan News