Blendi Gonxhja është ministri i ri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku foli për marrëdhëniet me Edi Ramën, Partinë Socialiste e jo vetëm.

Gonxhja është një nga themeluesit e Partisë Demokratike si një nga 5 studentët e komisionit nismëtar asokohe. Gonxhja tregoi pse u tërhoq në Janar të vitit 1991 nga Partia Demokratike dhe thotë se sot duhet t’i japin të drejtë për atë vendim.


Blendi Fevziu: Pse u largove nga Partia Demokratike?

Blendi Gonxhja: Sepse ai nuk ishte ambienti për asnjë çast nga momenti që ne u mblodhëm dhe forumet e para u krijuan, nuk ishte ambienti. Unë kam ikur në datën 15 Janar…

Blendi Fevziu: Rreth një muaj mbrapa.

Blendi Gonxhja: Besoj që ngjarjet, faktet e Shqipërisë së vitit 1992, ’94, ’96, ’97, ’98, gjithë ato që kanë ndodhur më pas, Janar 2021, kanë vërtetuar që personazhet, nuk po përmend emra, nuk kanë menduar ndonjëherë që ta vendosin vendin para interesave të tyre. Këta personazhe unë i kam njohur që në Janar.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ju u larguat u bashkuat me Aleancën Demokratike. U larguat prapë edhe nga Aleanca Demokratike. U duk se tentative jote në politikë ishte një lloj dështimi.

Blendi Gonxhja: Unë mendoj se ata që na dëgjojnë kur shikojnë ngjarjet sot, të 2023, mendoj se në raport me atë PD, me ato personazhe që e morën në dorë që në fillim të vitit 1991 nuk kishte të ardhme dhe mendoj se duhet të më japin të drejtë që jam shkëputur në Janar të ’91 dhe pastaj më vonë kam parë që të gjithë ata që ju i njihni, Gramozin, etj., që u munduan, u munduan, më gjatë se ne, pak vite, pak muaj, një mandat, apo dy mandate më vonë, të gjithë janë përzënë nga Partia Demokratike në mënyra të dhunshme, në mënyra jo demokratike./tvklan.al