Ditën e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë e ftuar këngëtarja e njohur Orgesa Zaimi, e cila përveçse na ka kënaqur me rrëfimet e bukura, na bëri të kërcejmë e të këndojmë me performancat në studio, e shoqëruar nga kitaristi i saj, Fabian Metkaj.

Në hyrje të programit, kur moderatorja e pyeti artisten se si i kaloi festat, kjo e fundit u përgjigj se për datën 31 dhjetor dhe 1 janar, ka qenë duke kënduar live në koncerte.

Orgesa Zaimi gjithashtu u shpreh se u bënë mbi 15 vite që Vitin e Ri nuk e feston në shtëpi, por ajo ka gjetur një mënyrë se si t’i balancojë gjërat, që të gjithë të jenë të lumtur.


Rudina Magjistari: Më tregoi njëherë si kaloi festa me familjen?

Orgesa Zaimi: Shiko, unë e kam thënë disa herë, për ne që këndojmë live, domethënë, nuk është se është diçka…

Rudina Magjistari: Është një sakrificë duhet thënë.

Orgesa Zaimi: Po, është një sakrificë. Këtë vit e kanë ndjerë edhe fëmijët sepse donin shumë që unë të isha për…

Rudina Magjistari: Janë rritur tani.

Orgesa Zaimi: Sepse të dyja netët nuk kam qenë. Edhe 31 dhjetor, edhe 1 janar, kam qenë në të dyja netët jo prezente në shtëpi. Por ne nesër, marrim avionin dhe ikim në Stamboll e do festojmë fuqishëm 3 ditë atje.

Rudina Magjistari: Dedikuar vetëm për njëri-tjetrin atje.

Orgesa Zaimi: Kjo është ajo balanca që mundohem edhe i marrë me të mira gjithmonë. Sepse kam, Rudina, mund të jenë mbi 15 vjet që unë nuk festoj një Vit të Ri në shtëpi. I përshëndes të gjithë muzikantët, këngëtarët, ata që, siç e the ti, sakrifikojnë këtë natë për të tjerët, që të kënaqen dhe të jenë sa më afër publikut. Sepse është shndërruar në një festë që ne në Shqipëri e festojmë nga mënyrat më të rëndësishme. Kështu që, ne e kemi dhënë zërin tonë, artin tonë, për këtë ditë.

Rudina Magjistari: Janë shtuar shumë në fakt festimet e këtij lloji. Restorantet dhe vendet ku jepen koncerte të shumta, sidomos natën e Vitit të Ri, kështu që është një nga momentet më të vështira, mendoj unë, të punës tuaj, apo jo?

Orgesa Zaimi: Këtë vit e kam pasur më shumë siç të thashë sepse goca, Bora, donte…

Rudina Magjistari: Si kjo ndodh me të gjitha festat në përgjithësi, jo vetëm për natën e Vitit të Ri.

Orgesa Zaimi: … (vajza i thotë Zaimit) “Ti mami nuk je për Krishtlindje, ti mami nuk je për Vitin e Ri, nuk je për festa”, por që shpresoj shumë që një ditë fëmijët të më mirëkuptojnë.

Rudina Magjistari: Si ia bën në këto momente, se duhet të jetë një moment shumë i vështirë?

Orgesa Zaimi: Shiko, ti e di shumë mirë që ne udhëtojmë dhe kemi shumë qejf që të udhëtojmë, e me këtë e shlyejmë po themi, këtë fajin. Kështu që këtë vit vendosëm që të bëjmë 4-5 ditë udhëtim. Kjo është gjëja më e bukur për të zëvendësuar atë mungesën time të këtyre dy ditëve. /tvklan.al