Partizani dhe Tirana barazuan pa gola në derbin e 174 mes tyre. Sfida në stadiumin “Air Albania” dhuroi emocione në fushë dhe tribuna. Për të kuqtë ky është barazimi i tretë radhazi, ndërsa bardheblutë janë ekipi i barazimeve në këtë sezon; 6 të tilla në 6 javë të luajtura.
Para nisjes së takimit, klubi i Tiranës nderoi ish-deputetin Gerti Bogdani, tifoz bardheblu, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë si pasojë e një arresti kardiak.
Në 10 minutat e para, sfida nisi e balancuar. Më pas, bardheblutë e shtuan agresivitetin. Në minutën e 24, Qirko bëri 1 pritje shpëtimtare në gjuajtjen e Zharmunis. Në vazhdim, loja mes të dyja ekipeve u karakterizua nga duele të ashpra. 3 minuta lojë nga pjesa e dytë dhe Selmani shpëtoi portën nga kërcënimi i Bitsukës. Bardheblutë e shtuan presionin ndaj të kuqve. Partizani ishte i kursyer në gjuajtjet në portë dhe u kujdes për mbrojtjen.
Pas minutës së 80, të kuqtë u treguan më agresivë në portën e mbrojtur nga Selmani. Por nga të dyja ekipet nuk u bënë gabime në prapavijë. Partizani shkon në 9 pikë në renditje, kurse Tirana ka 6.
Në sfidën tjetër, Skënderbeu mundi Laçin 2-1 dhe hoqi stresin e rezultateve jo të mira në kampionat. Korçarët kishin dy humbje radhazi.
Vendasit e nisën me sulm takimin dhe golin e gjetën me Vaskez, në minutën e 20. Në të dytën, Laçi kërkoi barazimin që e gjeti me Traore në minutën e 70. Dy minuta më vonë, gjyqtari dha një penallti që u kontestua nga miqtë. Merlim gaboi, por jo Bismark. Shtatë pikë për korçarët në renditje dhe vetëm 3 për kurbinasit në fund të tabelës, që këtë sezon nuk dinë të fitojnë.
Klan News