Ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare thotë se takimi që ka zhvilluar me Presidentin e Chelsea ka qenë shoqëror. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tare ka thënë se ka qenë një ambient shoqëror mes miqsh, ku kanë biseduar për shumë gjëra e kryesisht për futbollin, por asgjë më shumë (referuar dhe zhurmës që darka bëri rreth një kalimi të tij të mundshëm në drejtimin e Chelsea).

Pyetje: Kohët e fundit, mediat kanë folur për një darkë që ju keni ngrënë me Presidentin e Chelsea. Keni diskutuar për ndonjë…?

Igli Tare: Po, e vërtetë. Kam qenë në një ambient shoqëror mes disa miqve tanë. Ka qenë thjesht një takim formal shoqëror dhe kemi biseduar për shumë gjëra, për futbollin, shqiptar, italian dhe pse jo atë, anglez për skuadrën e Chelseas, por asgjë më tepër.  

Gjatë intervistës, Tare ka folur dhe për futbollin shqiptar, teksa ka thënë se Kombëtarja meriton atë që ka arritur dhe shpreson të bëjë akoma më mirë.

Igli Tare: Besoj se është një arritje e madhe për futbollin shqiptar, është që vjen si fryt i shumë komponentëve që janë zhvilluar vitet e fundit. Kënaqësi të jesh edhe pjesë e historisë së kësaj Kombëtare. E gabuar të krahasojmë Kombëtaret sepse janë epokat e ndryshme dhe në këtë moment, kjo është një Kombëtare që meriton atë që ka arritur në këtë moment dhe shpresoj të bëjë akoma më mirë, ka të ardhme. Meritë e të gjithë komponentëve që kanë punuar për të arritur tek kjo punë. Kjo punë është shumë e madhe, meritë e të gjithëve. Fitorja ka shumë baballarë, humbja ka vetëm një nënë.

Pyetje: A shikon ndonjë yll në ngritje?

Igli Tare: Forca e kësaj skuadre është grupi, nuk ka nevojë për yje. Ka prespektivë shumë të madhe. Në 3-4 vitet e ardhshme dhe me më shumë eksperiencë, mund të flasim.

/tvklan.al