Ushtria izraelite hodhi në erë disa ndërtesa në Bregun e pushtuar Perëndimor të dielën me një seri shpërthimesh të njëkohshme që sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve rrafshoi rreth 20 ndërtesa në kampin e refugjatëve Jenin. Re të trasha tymi u panë duke u ngritur nga qyteti palestinez ku forcat izraelite kanë filluar prej gati dy javësh një operacion të gjerë kundër militantëve lokalë dhe kapjen e rezervave të armëve.

I pyetur për prishjen e njëkohshme të ndërtesave në Jenin, një zëdhënës i ushtrisë tha se u çmontuan “disa struktura të përdorura si infrastrukturë terroriste”.

Gjatë operacionit u dëmtua edhe një pjesë e Spitalit Qeveritar Jenin, por nuk raportohet për viktima.

Jenin është një qytet tej mase i populluar i ndërtuar për pasardhësit e palestinezëve që u dëbuan ose u larguan nga shtëpitë e tyre, në luftën e vitit 1948 kur u krijua shteti i Izraelit. Kampi i refugjatëve ka qenë qendër e aktivitetit militant për dekada dhe objektiv i bastisjeve të përsëritura të forcave izraelite të sigurisë.


Këto të fundit, të mbështetura nga helikopterë dhe buldozerë të blinduar, filluan sulmin ndaj qytetit më 21 janar, dy ditë pasi Izraeli arriti një armëpushim në Gaza me grupin militant Hamas.

Për operacionin në Jenin, Hamasi bëri thirrje të dielën për “përshkallëzim të rezistencës” kundër Izraelit.

Që nga fillimi i operacionit izraelit në Jenin janë vratë të paktën 25 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të grupeve të armatosura. Ushtria izraelite thotë se ka vrarë të paktën 35 militantë dhe ka arrestuar mbi 100 të kërkuar.

Klan News