Tre orë leje është kërkuar nga opozita për vijimin e mosbindjes civile, që synon të bllokojë disa akse dhe nyje kryesore në kryeqytet. Partia Demokratike ka njoftuar policinë se do të protestojë nga ora 17 deri në orën 20, por blutë kanë refuzuar lejen për sa i përket bllokimit të kryqëzimeve kryesore të Tiranës.

Nëpërmjet një reagimi publik, policia shprehet se bllokimi i rrugëve është vepër penale që dënohet deri në 3 vite heqje lirie, por garanton të drejtën e tubimit pa cënuar lëvizshmërinë e qytetarëve.

Ashtu si në 26 Nëntor, opozita synon sërish bllokimin e disa akseve dhe nyjeve kryesore rrugore në kryeqytet si unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe segmentin nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

Ndërkohë që për të garantuar lëvizjen e lirë të mjeteve, policia thotë se ka marrë një sërë masash për të devijuar trafikun në rrugë të tjera.

Gjatë protestës së fundit që u mbajt rreth 1 muaj më parë, policia procedoi penalisht 64 persona, mes tyre edhe 15 deputetë të opozitës.

Klan News