Nga Budapesti në krah të homologut Viktor Orban, Kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin e presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Europian, që ka nxitur, bashkërenduar dhe bërë të mundur që pas disa ditësh Shqipëria të hapë një pjesë të madhe të negociatave me BE-në.
Edi Rama: Orban gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor. Me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra të bëhen mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë jo vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo për planin e rritjes të BE-së.
Rama vlerësoi edhe kontributin e Komisionerit të BE-së, hungarezit Oliver Varhelyi, i cili e ka shoqëruar Shqipërinë për 5 vite në këtë proces.
Rama tha se Shqipëria e ka parë gjithmonë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri.
Edi Rama: Ne kërkojmë që të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm. Reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase si edhe sa i përket një shoqërie ku ka mirëqenie, duke filluar nga kushte jo shumë inkurajuese sa u përket financave.
Sipas Orban vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e BE, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Ai deklaroi se Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE-së dhe edhe tani.
Viktor Orban: Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE madje duhet të ishte pjesë e familjes evropiane edhe tani. Fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për të arritur këtë objektiv. Unë mund t’ju them që pavarësisht kësaj kemi pasur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt Konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grupkapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë.
Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në, në një proces, i cili është bazuar tek merita në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Orban e cilësoi Ramën si një artist të politikës. Hungaria në frymën e një politike të përgjegjshme të fqinjësisë së mirë ka ndihmuar BE-në, duke ofruar edhe mbështetje financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Klan News