Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komentuesve në rrjete sociale në lidhje me shpërnguljen e një familje nga Gaza dhe trajtimin e fëmijës së tyre 1 vjeç në shërbimin e pediatrisë në QSUT.

“Jam kurioz kur i shkruani këto gjëra, i keni seriozisht apo inati i sime vjehrre edhe bam mu në krevat mullixhiut se, ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i linkemi të vdesin. Kjo natyrisht që është një pyetje retorike ashtu sikundër ju siguroj sinqerisht nuk ju fajësoj fare se inati po, llumi i foltoreve, kanaleve, portaleve, ku ju zhyteni, po dhe normal që këtu robi duket sikur vdesin dhe për një aspirinë”, tha Edi Rama.  

Kryeministri ka dhënë edhe shfira mbi trajtimin e fëmijëve në spitalet e vendit dhe ata që dërgohen për trajtim jashtë shtetit.

“Çdo vit në Shqipëri kurohen në pavionet e pediatrive tona jo pak por 46 mijë fëmijë, 15 mijë prej tyre në QSUT dhe operohen mesatarisht 2400 fëmijë me sukses të plotë në QSUT. Çdo vit ne çojmë jashtë vendit mesatarisht 25 fëmijë, pra shumë më tepër se gjitha shoqatat të mbledhura bashkë, të cilat i falenderoj përzemërisht për angazhimin e tyre të pamohueshëm”, tha Rama.

Sipas Ramës, shpërngulja e familjes nga Gaza në Shqipëri u kërkua nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ajo familja që erdhi nga Gaza, erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik dhe e dyta, në vend se të bëheni përhapës të gënjeshtrave të atyre që ju i dini mirë kush janë, kërkojini atyre llogari, kërkojini atyre llogari se nuk i dilet me inat kësaj pune dhe inat kijeni këtë qeveri, po këtu do ta keni prapë dhe inati nuk është as program as alternativë”, tha Rama.   

Familja e shpërngulur nga Gaza erdhi mbrëmjen e së enjtes në Shqipëri. Sipas bluzave të bardha, fëmija 1 vjeç kishte problematika në frymëmarrje dhe është shtruar në reanimacionin e pediatrisë së QSUT, ku dhe po merr trajtimin e duhur.

Klan News