Nisi si një histori dashurie, me gjetjen e shpirtit binjak, por rrethanat dhe rregullat e kohës, nuk ishin në favorin e tyre. Rrëfimi i Selamiut, në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ka lënë disa fytyra të habitura dhe të befasuara. Është një tregim i gjatë, ndaj do ju sugjeronim ta lexonit me vëmendje.

Selamiu e filloi historinë me punën që ka bërë më para, pasi kjo është një pikë thelbësore e asaj që ndodh më vonë. Ai ka punuar në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë, një detyrë tepër sekrete, aq sa edhe familjarët nuk ishin në dijeni për këtë pjesë të fshehtë të jetës së tij.

Sigurisht, kjo e bënte atë shumë të kujdesshëm në marrëdhënie me femrat, por erdhi një moshë ku edhe ai vetë duhet të ndërtonte familjen e tij, ndaj njohu një vajzë, emrin e së cilës nuk e zbulon në studio.

Sipas Selamiut, kur je ushtar dhe duhet të lidhësh jetën me një person tjetër, biografia e këtij të fundit ka shumë rëndësi, madje në atë kohë, miratohej nga Komiteti i Partisë dhe Ministrisë. Kur u kryen të gjitha procedurat, ai mund të vazhdonte jetën i lumtur me vajzën që dashuronte. Vetëm se nuk përfundoi në këtë mënyrë!

Pas 1 viti fejesë, Selamiu dhe vajza vendosën të martohen. Ata organizojnë dasmën e tyre dhe në “ditën e madhe” Selamiu merr lajmin që i ndryshoi trajektoren e jetës. Ai tregon në rubrikën “Ka një mesazh për ty” se kur iku për të marrë leje, drejtori i Zbulimit i tha: “Kjo dasmë nuk mund të bëhet”.

Vajza kishte një problem në biografi dhe kjo e bënte të vështirë procesin. Ai duhet të zgjidhte: ose të martohej dhe të merrte parasysh pasojat, ose ta linte nusen me fustan të bardhë, pa dhëndurë, e pa asnjë shpjegim.


Selamiu: Bëhet fjalë për 50 vjet përpara, në ‘73-shin. Gati 1 vit fejesë, shkonim si rasti i parë, veçanërisht familja ime bënte shumë, ishte shumë e lidhur me këtë vajzë. Edhe unë isha shumë i lumtur që gjeta, si të thuash, shpirtin tim binjak. Erdhi momenti do martoheshim. Dasma në familjen time kishte filluar, vajza ishte veshur me fustan të bardhë. Kur shkoj të marrë lejen, më thotë drejtori i Zbulimit: “Më vjen keq, por ka një problem. Kjo dasmë nuk duhet të bëhet!” I thashë unë: “Drejtor, si ka mundësi? Njerëzit e mi kanë nisur dasmën”. Se ne në Korçë e fillojmë dasmën që të enjte. “Edhe atje”, i thash unë, “janë njerëzit e vajzës, se vajza është veshur me fustan të bardhë. Si ka mundësi?” Tha: “Ka një problem Selamik që ne nuk ta themi, por ti duhet ta gjykosh vetë. Ne nuk të detyrojmë që të ndahesh. Nuk është e drejta jonë, në asnjë mënyrë. Por në qoftë se ti do ndahesh, ke përkrahjen dhe mbështetjen tonë dhe shteti po bënë investime për ty. Në qoftë se ti nuk do të ndahesh, atëherë përgjegjësia bie mbi ty”. 

Momenti ishte shumë i vështirë zoti Ardit. Një djalë 22-23 vjeç, për pak sekonda i çova të gjitha ndërmend. Vendosa që të mbaj anën… që të ruaja edhe veten dhe atë vajzën, vendosa që të ndahesha. Por kërkova një ndihmë, sepse mund të krijohen edhe shqetësime. “Po”, thanë, “atë problem e zgjidhim ne. Do të tëndihmojmë ne”. Dhe bën një telegram që dasma do shtyhet; djali është me shërbim jashtë shtetit. Shqetësimi i parë ishte në familjen time, që çfarë i kishte ndodhur djalit, o është dëmtuar fizikisht, o është në burg. Ndërsa andej nga ana tjetër, shkoi llafi që dasma do të shtyhet. Ato thanë: “Çfarë ka ndodhur?” Vajza ishte prekur, shqetësuar natyrisht. Tani gjatë kësaj kohe që u mor njoftimi nga prindërit e mi, e ndërprenë dasmën. U bënë përpjekje që të sqaroheshe, si ishin rrethanat. Flasim me një dajën tim, e kisha ushtarak në divizionin e Korçës, Udhëheqja e Ministrisë, dhe thonë: “Selamiu është nën kujdesin tonë. Me atë vajzën, me atë familjen që jeni lidhur, kanë një problem dhe nuk ta shpjegojmë dot tani, por të lutem dajë të bësh të gjitha përpjekjet atje me familjen e Selamiut që tek njerëzit e vajzës mos të ketë asnjë shqetësim. Sepse janë të dyja anët që kanë mbështetjen tonë”. /tvklan.al