Mbi 1 milion shtetas shqiptarë kanë aplikuar për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, por vetëm 520 mijë qytetarë i kanë tërhequr ato në zyrat e shpërndarjes. Mos tërheqja e kartave të identitetit në kohën e caktuar ka bërë që në njësitë e tërheqjes të krijohen stoqe të mëdha me karta identiteti të prodhuara.
Aktualisht janë në kasafortat e zyrave të shpërndarjes 370 mijë letërnjoftime elektronike që presin të merren nga poseduesit e tyre. Kamera e televizionit Klan, vëzhgoi disa nga zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Kjo është njësia bashkiake numër 8 dhe 9, numri i kartave të pa tërhequra është tepër i madh. Ndonëse afati i tërheqjes së kartës së identitetit është 10 ditë pas aplikimit në kasafortat e shpërndarjes gjen karta që u përkasin qytetarëve të cilët kanë aplikuar përpara një muaji. Por këto dy njësi nuk janë të vetmet, edhe në zyrat njësisë bashkiake 3 dhe 4 neglizhenca e qytetarëve ka bërë që numri i kartave që flenë këto zyra të jenë me mijëra.
Herë pas herë ministria e Brendshme u ka kujtuar qytetarëve se procesi i pajisjes me letërnjoftimin elektronik, nuk përfundon me procedurën e aplikimit por edhe duhet të paraqiten për t’i tërhequr ato./tvklan.al
Gazetare Brunilda Cami