Një astrologe turke është arrestuar pasi parashikoi se rënia e qeverisë do të paraprihej nga vdekja tragjike e një politikani të rëndësishëm.
Sipas The Sun, Hilal Sarac është akuzuar se me parashikimet e saj ka ofenduar presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe liderin e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahceli.
Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e astrologes teksa po hetohen akuzat ndaj saj. Në një postim në rrjetin X, Sarac shkroi:
“Mendoj se Devlet Bahceli duhet të vizitohet për mushkëritë. Nëse unë jam astrologia më e mirë mjekësore në vend, që jam në fakt, ai ka një problem serioz me mushkëritë dhe i mbahet fryma”.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/hilal-sarac1.webp)
Astrologia tha se Bahceli do të vdesë përpara zgjedhjeve të ardhshme duke shkaktuar kolapsin e qeverisë dhe duke detyruar vendin për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.
“Betohem që ai s’do t’i arrijë zgjedhjet. Zgjedhjet gjithsesi do të mbahen herët”. Më pas, Sarac shtoi se një nga politikanët kryesorë do të vdesë.
“S’jam aq e guximshme sa të shkruaj se kush është, por mendoj se jeni mjaftueshëm të zgjuar që ta kuptoni”.
Astrologia i mbrojti parashikimet e saj dhe tha se bazohet në astrologjinë mjekësore. Astrologjia mjekësore interpreton sëmundjet përmes hartës astrologjike.
Arrestimi i saj ka ndezur debate në Turqi për lirinë e fjalës. Një përdorues i rrjeteve sociale u shpreh se është “një hap pas për demokracinë”, ndërsa një tjetër s’e kurseu humorin për të thënë se do t’i vijë radha horoskopit që të ndalohet./tvklan.al