Një operacion i madh anti-mafia është zhvilluar në Itali. Në prangat e policisë kanë përfunduar 183 persona të akuzuar për trafik droge, tentativë vrasje, zhvatje, lojëra të fatit dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Në mesin e urdhër-arresteve të lëshuara ishin edhe ato për 33 të dyshuar të cilët tashmë ndodheshin në burg për krime të tjera.
Ajo që rezulton nga hetimi është se shefat e grupeve kriminale vazhdojnë të mbajnë një profil shumë të ulët, për të mos tërhequr vëmendjen e hetuesve, dhe siç ka ndodhur tashmë prej disa vitesh, për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.
Për mediat italiane kjo është një aftësi e mafias siciliane e Cosa Nostra-s për të mbijetuar pavarësisht luftës së autoriteteve të drejtësisë. Mediat italiane shkruajnë se shefat, falë përdorimit të teknologjive të reja, edhe në burg kanë arritur të menaxhonin bizneset e lojërave të fatit të lidhura me drogën dhe ato në internet pa u takuar.
Bosët e mafias në burg kanë qenë të pajisur me celularë të koduar të futur ilegalisht në qeli, me të cilët flisnin pa u shqetësuar nga jashtë dhe jepnin urdhra për të tjerët.
Për mega-operacionin reagoi edhe Kryeministrja Giorgia Meloni e cila në një postim në rrjetet sociale shkroi: “Mafia duhet të mposhtet me vendosmëri dhe pa asnjë kompromis.”
Klan News