Vendi i fundit në grupin e Ligës së Kombeve dhe zbritja në Divizionin C nuk ishte ajo që synohej në fillim të aktivitetit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një mesazh në rrjetet sociale tha se gjithçka do të analizohet.
“E filluam mirë dhe e mbyllëm keq këtë garë të Nations League, humbëm ndeshjen kryesore, përcaktuesen, por nuk është se shkëlqyem në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Realisht u mërzitëm, mbase dhe për faktin se krijuam shumë pritshmëri. Pasi të qetësohemi duhet ta analizojmë mirë këtë kompeticion”.
Duka shkruan se është i bindur se ekipi do të ringrihet dhe do të dhurojë sërish emocione. Gara e radhës do të jetë faza kualifikuese e Botërorit 2026 ku do të synohet një tjetër objektiv historik për Kombëtaren.
“Shpejt do të mësojmë kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit. Kemi shkuar me meritë e djersë dy herë në Europian. Me besim e shumë forcë korrigjuese në vetvete do të tentojmë një mundësi për të arritur një tjetër objektiv historik!”
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit pati edhe një falenderim për tifozët të cilët e mbështesin në çdo moment Kombëtaren.
Tv Klan