Partitë politike maqedonase në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në tetor, janë futur në garë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të fitojnë votat e elektoratit shqiptarë, për dallim nga herët e kaluara kur vota shqiptare orientohej për kandidatët maqedonas në komunat me shumicë maqedonase dhe qytetin e Shkupit përmes partive politike shqiptare .
Risi paraqet partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, udhëhiqet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, parti e shquhet për idetë nacionaliste në garën për të fituar qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetë administrimit lokal që në vete ngërthen 10 komuna, ka premtuar se nëse fiton kandidati i kësaj partie Koce Trajanovski edhe një mandat, do të vendosë për herë të parë për zëvendëskryetar të Shkupit një shqiptar.
Koce Trajanovski kërkon të bëhet kryetar i qytetit të Shkupit për të tretën herë me radhe, megjithëse kësaj radhe është shfaqur në bilbordet e qytetit bashkë me Muhamet Ahmetin, kandidat për këshilltar në listën e VMRO-DMNE-së, i cili njëkohësisht është dhe kandidat për zëvendëskryetar të qytetit të Shkupit nën sloganin e shkruar në gjuhën shqipe: “Fillon epokë e re në Shkup”.
Njohësit e çështjeve politike thonë se qytetarët shqiptarë vështirë se do t’i besojnë VMRO-DPMNE-së, gjersa kjo parti nuk bën reforma rrënjësore brenda saj.
“VMRO-DPMNE si parti ishte ajo e cila tërë kohën ka kundërshtuar shumë çështje që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë dhe tani përnjëherësh në fushatë zgjedhore del me idenë duke promovuar një epokë të re edhe për shqiptarët , kjo tek qytetarët më nuk kalon”.
“Për çështje të ndjeshme, që kanë të bëjnë me raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mund të veprohet në bazë të interesave të politikës ditore. Si e para, VMRO-DPMNE duhet të reformohet si parti, që të fillojnë t’i besojnë fillimisht maqedonasit dhe pastaj shqiptarët”, thotë Nikolla Dujovski, ligjërues i shkencave politike në Shkup.
Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski si drejtues i partisë nuk kanë bërë asnjë hap drejt reformimit të partisë, ngase Gruevski edhe pse është akuzohet nga Prokuroria Speciale Publike për shumë raste, vazhdon të jetë kryetar i pakontestueshëm i partisë, ndërsa në shumicën e komunave kjo parti garon me kandidatët e vjetër, të cilët ishin pjesë e përgjimeve.
Ndërkaq, Abdulla Memeti, kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup për Radion Evropa e lirë thotë se elektorati shqiptarë është drejtuar kah partitë maqedonase si rrjedhojë e dështimit të partive shqiptare, por pavarësisht dështimeve orientimi i votës shqiptare kah partitë maqedonase paraqet rrezik për artikulimin e kërkesave të shqiptarëve.
“Nuk duhet të harrojnë shqiptarët se në këtë shtet ende trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, si qiraxhinj në shtëpinë e vet, me status të pakicës kombëtare. Ky fakt nuk i jep komoditetin askujt të bëjë eksperimente me çështjen kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, sepse vetvetiu pas vetes bart rreziqe të tjera, për shfaqjen e tendencave për ndarjen e Maqedonisë, copëtimin e saj mes shteteve fqinje dhe zhbërjen përfundimtare të këtij shteti
”, thotë Mehmeti.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, në zgjedhjet e kaluara parlamentare arriti të sigurojë një numër të konsiderueshëm të votave në vendbanimet e banuara kryesisht me shqiptarë.
Kjo parti në zgjedhjet lokale të 15 tetorit garon me një kandidat shqiptar në komunën e Haraçinës së Shkupit, ndërkohë që në komunat e tjera shqiptare ka ftuar elektoratin e saj të mbështesë kandidatët e BDI-së si partner koalicioni, dhe në këmbim pret që votat e elektoratit të BDI-së të orientohen në kandidatin e socialdemokratëve për qytetin e Shkupit./REL