Vilson Gjata një qytetar nga Tirana tregon se është banor në njësinë numër 4 dhe ka një djalë 4 vjeç, që do që ta regjistrojë në kopsht. Djali më parë rrinte me të ëmën pasi ajo ishte në shtëpi.
Por gruaja ndërroi jetë pas një aksidenti dhe tani Vilsoni kërkon që të punojë, por nuk ka ku të lerë djalin.
“Përshëndetje unë jam Vilson Gjata. Jam 30 vjeç, banoj dhe jetoj në Tiranë prej disa vitesh. Jam banor i njësisë administrative numër 4, jetoj me qira në zonën e Shkozës. Para disa ditësh në datën 17 Janar ka ndodhur një aksident në qytetin e Beratit, ku si pasojë e aksidentit bashkëshortja ime 30-vjeçare ka ndërruar jetë dhe djali ka ngelur i plagosur nga aksidenti. Djali është 4 vjeç. Pasi kemi ardhur në Tiranë dhe janë bërë të gjitha ceremonitë mortore të nuses kam kërkuar që djalin ta regjistroj në kopsht, sepse kam jetuar me qira dhe të ardhurat e mia kanë qenë kryesore, sepse nusja ka qenë invalide që nga lindja. E kam të domosdoshme të punoj sepse jam me qira, por nuk kam se ku të lë djalin. Kam punuar më parë me gipse e punë të ndryshme që siguroja të ardhurat. Djali më parë qëndronte me bashkëshorten për arsye se ajo ishte pa punë. Kurse sot djalin e kam lënë me të zotët e shtëpisë që jetoj me qira, në rastet kur më duhet të bredh për ndonjë dokument, për certifikata ose çfarë duhet të dorëzoj. Kërkoj me patjetër që ta regjistroj në kopsht sepse më duhet të punoj. Nuk kam asnjë të ardhur tjetër, e nuk marr asnjë lloj pensioni. Nuk kam asnjë lloj ndihme”, tha denoncuesi.
Vilsoni thotë se është interesuar në kopshtin e Shkozës, por nuk ia kanë regjistruar.
Vilson Gjata: Që në momentin që më ka vdekur bashkëshortja, 5 ditë pas vdekjes së bashkëshortes kam nxjerrë certifikatën personale të djalit, certifikatë familjare, libër vaksinimesh, me pak fjalë të gjitha ato që m’u kërkuan nga kopshti në Shkozë. Të gjitha dokumentet përkatëse për të regjistruar fëmijën në kopsht unë i kam. Nuk e di pse është kaq i vështirë regjistrimi. Ia jam drejtuar dhe njësisë bashkiake.
Gazetarja: Ke shkuar tek Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve e Kopshteve?
Vilson Gjata: Jo unë kam shkuar vetëm tek ndihma, që është kjo sociologia për fëmijët. Ajo më ka thënë që do të bëjnë një kërkesë, por kërkesa vonon shumë për faktin që kopshtet janë plot.
Për këtë rast bashkë me Vilson Gjatën, “Stop” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve dhe përgjegjësja e sektorit të kopshteve Larisa Haxhi, sapo u vu në dijeni premtoi që fëmija të regjistrohet e të nisë menjëherë kopshtin.
Përgjegjësja e sektorit të kopshteve, Larisa Haxhi: Rasti është hera e parë që paraqitet këtu në drejtori. Për specifikën që ka absolutisht që do të merret në konsideratë dhe do të kryhet procedura për regjistrimin e fëmijës në kopsht. Do të shihen dokumentet që ka sjellë zotëria dhe menjëherë pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe plotësimit të aplikimit do të marrim kohën e duhur vetëm për nxjerrjen e faturave të proceduarës. Në fillim të muajit, që i bie dita e hënë nis frekuentimin fëmija në kopsht./tvklan.al