Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë konfirmon mbështetjen financiare për Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Reagimi vjen pas pezullimit të Presidentit Trump të programeve të ndihmës së SHBA-së për disa vende në botë, mes tyre dhe për Shqipërinë.
“BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve”.
Në deklaratë thuhet se mbështetja financiare do të vijojë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor, ndërsa thekson se roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe.
“BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro. SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”.
Programet e ndihmës së huaj të SHBA-së, ku fonde të dedikuara ishin edhe për SPAK, janë të pezulluara për 90 ditë, në pritje të rishikimeve dhe orientimit të tyre nga administrata e re.
Klan News