Arben Gosturani tregon se në datën 22 Dhjetor 2024 kishte ditën për të paguar taksat e makinës, por nuk mundi të shkojë për shkak të disa problemeve.

“Përshëndetje jam Arben Gosturani, kam një automjet dhe kam pasur probleme me pagesën. Në vitin 2024, më 22 Dhjetor kam pasur për të bërë pagesën e taksave dhe nuk kam shkuar për arsye të ndryshme. Shkova më 10 Janar 2025. Dhe në Janar më thonë që paguash dyfish taksa. Taksat që kisha për të paguar 231 mijë Lekë të vjetra dhe më thanë që do të paguash dhe të tjera. Kjo është pagesa për vitin 2025 dhe më thonë që duhet të paguash dhe për një taksë tjetër sepse të ka kaluar viti dhe sistemi. Po paguaj dy herë vitin 2025, sepse nuk e kam paguar më 22 Dhjetor, por më 10 Janar të vitit 2025. Një pagesë e kam kryer, kurse tjetrën jo sepse nuk isha përgatitur. Jam drejtuar tek “Stop” sepse nuk kam gjetur asnjë rrugëdalje tjetër që nga roja atje, e të gjithë më thonë që e ka fajin sistemi. Si puna ime ka edhe të tjerë që duhet të paguajnë taksat. Jo vetëm që janë rritur, por edhe duhen paguar dyfish”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.

U paraqit më 10 Janar 2025 dhe i thanë se duhet ta paguante dyfish për shkak të 9 ditëve që kishin kaluar. “Stop” shkoi tek zyra e pagesave.

Qytetari: I kanë mbaruar plakut në 22 Dhjetor taksat dhe i ka paguar në datën 5-së.

Informacioni: Janar?

Qytetari: Po!

Informacioni: Ka paguar 24-ën, që duhet ta paguante në Dhjetor dhe 25-ën që jemi tani sepse kur kalon dhjetorin, hyn automatikisht edhe vitin tjetër.

Qytetari: Për 9 ditë paguan 24-ën? Po se 9 ditë i bien ato.

Informacioni: S’i bien 9 ditë.

Qytetari: 22 Dhjetor me…

Informacioni: Në Dhjetor të 2023-shit ke paguar Janar – Dhjetor ’23.

Qytetari: Po!

Informacioni: Se taksa është vjetore nuk është… Vetëm për 9 ditët e dhjetorit. Ke paguar 24-ën e vitit të kaluar Janar – Dhjetor 24, 12-muaj dhe Janar – Dhjetor 25. 12 muaj të tjerë. Në total 2 vite dhe ke të drejtë, që në janarin e vitit, që vjen do paguash janar-dhjetor ’26. 1 Janar vitit, që i përket deri në 31 Dhjetor vitit, që i përket.

Qytetari: Po ta paguaja unë për shembull në datën 22 deri në 22 dhjetor prapë…

Informacioni: Ishe pa taksa të paguara, por me taksa të vlefshme për qarkullim. Pra, ti kishe të drejtë, që 25-ën ta paguaje në dhjetor, po ishte prapë e papaguar 25-sa, kurse tani e ke të paguar dhe të vlefshme për qarkullim dhe 26 e paguan në janar. Ky është ndryshimi.

Pano Soko ekspert ekonomie shpjegon se taksat parapaguhen dhe nuk mund të jenë për vitin paraardhës. Nëse viti kalendarik quhet nga Janari deri në Dhjetor, nuk ka asnjë kuptim që të paguhet taksa për një vit që ka kaluar.

“Taksa e regjistrimit është një kuotë vjetore që paguan çdo përdorues mjeti një herë në vit dhe në këmbim merr një leje nga shteti për të përdorur rrugët e veta. Pra taksa e regjistrimit nuk është një shumë që regjistrohet pa një qëllim sepse para shtetit dëmi që shkakton ti tek rrugët duhet riparuar dhe për këto para shteti merr taksën e regjistrimit. Tani nëse ti e ble një herë taksën e regjistrimit për një vit kalendarik, për 365 ditë nuk ka rëndësi dita se kur fillon dhe kur mbaron viti. Sa herë që ti paguan taksën e regjistrimit që nga ai moment ke të drejtë që për 365 ditë ke të drejtë që të përdorësh rrugën e Republikës së Shqipërisë. Për të gjithë periudhën që ti nuk ke paguar, ka njerëz që vonohen përshembull, vonohen në taksën e regjistrimit, ka kuota gjobe, por kurrë nuk bëhet taksa aq më tepër me përshtatjen e vitit kalendarik. Është pa sens përshtatja me vitin kalendarik. Çdo njeri ble biletën për të përdorur rrugët e vendit për 365 ditë, duke paguar shumën e caktuar në shtet siç e ka përcaktuar shteti. Çdo manovër përtej këtij qëllimi ligjor për të cilin është vendosur taksa është në shkelje të të drejtave dhe duhet patjetër të refuzohet apo kundërshtohet. Si çdo biletë tjetër, përshembull kur shkon në stadium ti paguan biletën për një ndeshje që do të fillojë, jo për ndeshjen që ka mbaruar, pra ti ble biletën nga minuta e parë deri në minutën e 90-të për të parë ndeshjen që po vjen jo atë ndeshje që ka mbaruar. E njëjta gjë edhe bileta që blihet për përdorimin e rrugëve, taksa e regjistrimit është një tip bilete”, sqaroi eksperti Pano Soko./tvklan.al