Shqipëria ka përmirësuar dukshëm renditjen e saj sa i përket luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në raportin e Institutit të Bazelit publikuar së fundmi, vendi ynë është vlerësuar me rezultatin 4.35, duke u renditur në vendin e 36 në nivel botëror. Shqipëria lë mbrapa shumë prej vendeve të Bashkimit Evropian si Gjermania, Italia, Hollanda, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Rumania si dhe SHBA, Kanada, Japoni etj.
Sipas Ministrisë së Financave progresi i arritur është i prekshëm dhe ka ardhur si rezultat i masave të ndërmarra nga vendi ynë, sidomos në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar FATF dhe Moneyval që zënë peshën kryesore në këtë vlerësim me 65%.
Indeksi i Bazelit, i publikuar nga Instituti i Bazelit për Qeverisjen që nga viti 2012, jep vlerësimet e riskut bazuar në të dhënat nga 17 burime të disponueshme publikisht si Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), organizata Transparency International, Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror e të tjera.
Synimi i këtij indeksi është të masë riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT) në juridiksionet në mbarë botën.
Klan News