Shpërthimin në veri të Kosovës, kryeministri Edi Rama e konsideroi një akt të rëndë sabotazhi. Në një koment në rrjetet sociale, kreu qeverisë shqiptare shkruan se ky akt duhet zbardhur sa më shpejt.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.
Rama thotë se është koha që BE të heqë sanksionet ndaj Kosovës si dhe të ndryshojë formati i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit pasi mënyra aktuale e bisedimeve ka dështuar.
“Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, tha Rama.
Ndërsa presidenti i vendit Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me homologen e Kosovës Vjosa Osmani ku thotë se dënoi ashpër atë që e quajti akt terrorist mes synim shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e që cenon sigurinë kombëtare të vendit.
“Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, tha Begaj.
Një reagim për ngjarjen bëri edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali që tha se akte të tilla dëmtojnë jo vetëm qytetarët, por edhe klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon.
“Frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar”, tha Spiropali.
Ndërsa për Sali Berishën sulmet në veri të Kosovës janë akte terroriste që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit, por ai nuk la pa shigjetuar edhe kryeministrin Rama.
“Aktet terroriste në Zubin-Potok kërkon me çdo kusht, destabilizimin e Kosovës. është skenar tipik i Rusisë së vogël. duke emëruar në krye të këtij shërbimi një e dyshuar për bashkëpunëtore me shërbimin serb. I dorëzoi SHISH aktet për rrëzimin e qeverisë së Kosovës”, tha Berisha.
Berisha tha se anëtarësimi në NATO është e vetmja zgjidhje për të garantuar qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Tv Klan