Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve demokratë, të pa parti, socialistë dhe persona të të gjitha bindjeve politike që të bashkohen për një Tiranë dhe për një Shqipëri europiane. Këtë mesazh kreu i qeverisë e dha në takimin e zhvilluar me banorët e kombinatit në kryeqytet, të cilët i ftoi të bashkohen duke thënë se ky projekt nuk është çështje e një partie, por i një ndryshimi të Shqipërisë për një jetesë më të mirë. E në këtë thirrje ai ka sulmuar modelin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duke thënë se qytetarët e Tiranës dhe mbarë vendit nuk i lidh asgjë me të.

Sali Berisha: “Demokrat, të pa parti, socialist dhe të të gjitha bindjeve. Ju bëj një thirrje vëllazërore bashkohuni me ne në projektin tonë të madh të Tiranës Eurpianë, të Shqipërisë Europiane. Socialist të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë mendoni për një moment çfarë u lidh ju me Edi Ramën? Asgjë su bashkon, ai don 99-shat e tij me të cilët bën pazaret e fëlliqura të lejeve të ndërtimit. Kurse me Sali Berishën ju lidh projekti europian, ju lidhin rrogat dhe pensionet, krijimi i 160 mijë vende punë, ju lidh lëvizja e lirë brenda vitit të parë, ju lidh besimi i madh që ka Europa dhe bota tek Sali Berisha dhe PD. Ktheni sytë tek Edi Rama, pse nuk del në krye të listës suaj të dashur socialist. Ka frikë nga Tirana , ka tmerr nga Tirana, e din se Tirana do të jetë fundi i tij politik, e din se Tirana do t’i japë duart njëherë e përgjithmonë njeriut, njeriut që u mban peng planin e rregullimit të kryeqytetit vetëm e vetëm për t’u prerë gjoba pronarëve të Tiranës, njeriu që ka shndërruar kryesinë aktuale të PS-së 99-sha dhe SHPK”.

Po kështu duke komentuar zhvillimet brenda partisë më të madhe të opozitës, kreu i qeverisë tha se nën drejtimin e Ramës, ajo është shndërruar në një parti interesash klienteliste që nuk ndahet dot nga e shkuara e saj.

Sali Berisha: “Edi Rama, festoj dje 18 vjetorin apo 70 vjetorin e partisë tij. E vërteta historike është se ajo parti 18 vjet më parë, parti e krimeve më monstruoze ndërroj vetëm emrin, por e vërteta tjetër është, se këto 18 vjet ajo parti ja doli të anëtarësohet internacionale socialiste. Kurse që kur e mori Edi Rama dhe e shndërroj në klubin e 99-shave, partia e tij voton kundër çdo ligji për të dënuar të shkuarën, pra nuk kishte përvjetor më të trishtë se mund të bënte një parti”…./tvklan.al