Opozita ka denoncuar një Vendim të Këshillit të Ministrave. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se përmes një VKM-je, qeveria i ka kaluar truallin e Teatrit Kombëtar Bashkisë së Tiranës.
Ky vendim është kriminal sipas Tabakut dhe fsheh një projekt të ulët që bie në kundërshtim me vendimin e Europa Nostra.
“Praktikisht sot ai po e trajton pasurinë tonë kulturore si plaçkë lufte. Në vendim thuhet që do të ndërtohet një godinë e re duke përjashtuar mundësinë e rehabilitimit, verbëria prej hajduti e shtyn qeverinë dhe bashkinë të kalojnë në këtë fazë. Kjo VKM e cila fsheh një projekt të ulët dhe kriminal, bie në kundërshtim edhe me vendimin e Europa Nostra. Tanimë kokëfortësia e qeverisë qendrore dhe lokale do të shembë me përdhunë çdo objekt historik dhe kulturor”, shkruan Tabaku.
Ish-deputetja Tabaku thotë se godina e Teatrit Kombëtar do të qëndrojë aty pasi nuk është vetëm shpirti i një Tirane që lëngon, por edhe zemra e një proteste të gjatë dhe të drejtë.
Më vonë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi këtë vendim, një akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë si dhe provokim nda BE-së.
“Ndërkohë që shqiptarët presin zgjidhje për krizën që ka pllakosur, Rama gjen kohë vetëm për të grabitur. Kalimi i TK në pronësi të kryebetonierit të mafias është akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë dhe provokim ndaj BE dhe përfaqësuesve të saj në vigjilje të Ditës së Europës.”
/tvklan.al