Vendimi i deputetëve socialitë të njohur si oponentët e kryesocialistit Rama për të thyer bojkotin parlamentar brenda javës së parë të marsit, ka marrë mbështetjen e PE-së si nga eurodeputetët e djathtë ashtu edhe ato të majtë. Gjatë takimeve që deputetët Blushi, Islami dhe Harasani zhvilluan në Bruksel me zëvendës presidentin e PE-së zotin Libor Roucek dhe eurodeputeten Doris Pack, këta të fundit kanë deklaruar se brenda afateve kushtetuese e gjithë PS-ja duhet të jetë në Kuvend.
Libor Roucek: “Do të dëshiroja që vendimi të merret nga e gjithë partia para mbarimit të afatit, që do të thotë përpara marsit. Mesazhi im është se duhet rikonsideruar situata. Jo vetëm në Shqipëri, por ka një rregull të përgjithshëm, bojkoti i parlamentit nuk të çon gjëkundi. Kemi shembullin e zgjedhjes së presidentit Bush në Shtetet e Bashkuara. Shumë demokratë i vunë në dyshim zgjedhjet, por në fund u arrit në përfundimin që u pranua humbja. Ndoshta në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por u respektua vendimi. Uroj që sistemi politik në Shqipëri të jetë më i bashkuar. Kjo do të thotë që forcat kryesore politike të bien dakord për një strategji të përbashkët dhe mbi të gjitha të punojnë bashkë për të mirën e popullit shqiptar. Të përqendrohen tek prioritetet, kryesori është integrimi në Bashkimin Europian. Në qoftë se doni që të bëheni anëtar duhet të përmbushni disa kritere dhe kushte të caktuara. Kjo do të thotë edhe funksionimi i demokracisë parlamentare.”
Doris Pack: “Unë respektoj votën e elektoratit në Shqipëri dhe interesat e vendit, qëndrojnë më lart se ato të çdo partie. Por mendoj se çdo kush në vend, e sidomos Partia Socialiste duhet të dijë rregullat se si funksionon partia. Këto rregulla duhet të jenë në të njëjtën linjë me Kushtetutën dhe rregullat e saj demokratike. Ata kanë vendosur të hyjnë dhe kjo është diçka. Është e vështirë në fakt sepse është në kundërshtim me partinë të cilës i përkasin. Është e vështirë të ndërmarrësh këtë hap. Ata nuk po veprojnë kundër PS, por po ndjekin rregullat. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë anëtarët e partisë.”
Deputetët Blushi dhe Harasani kanë konfirmuar se në të gjitha takimet që kanë zhvilluar në Bruksel kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve për të thyer bojkotin, vendim që deputetët socialist shprehen optimist se do të mbështeten nga i gjithë grupi i tyre parlamentar.
Ben Blushi: “Ajo që na vjen më mirë është që në të gjitha takimet që kemi patur është që hyrja e opozitës në parlament është gjë që inkurajohet për të mos thënë që kërkohet si detyrim i çdo opozite demokratike për të marrë pjesë në parlamentin e vendit të vetë dhe kjo është ajo që do ndodhi.”
Andis Harasani: “Jemi të bindur që bashkë me këtë mbështetje, bashkë me bisedat që në kemi me kolegët tanë në Tiranë ne do arrijmë që shumica e grupit parlamentar të PS-së në një datë të afërt të futet në parlament dhe të ushtrojmë detyrën tonë kushtetuese.”
Erisa Zykaj: Nisma e disa deputetëve shqiptarë socialistë për t’u futur sa më shpejt në parlamentin shqiptar është mbështetur totalisht nga institucionet evropiane. Madje mesazhet më të forta që kanë ardhur nga PE-ja, kanë ardhur pikërisht nga grupimi socialist i këtij parlamenti. Përfaqësuesit e grupimit socialist i kanë kërkuar përfaqësuesve të opozitës që ata të futen në parlament brenda afateve kushtetuese para marsit.
Hannes Swoboda: “Jam i sigurt se e vetmja mënyrë për të punuar politikisht është të punosh në parlament. Të zgjedhurit duhet të punojnë në parlament. Mund të bësh një bojkot prej një dite ose një jave, por bojkoti mund të jetë vetëm një aksion i shkurtër dhe jo afatgjatë.”
Erisa Zykaj: A duhet të ndiqet ky aksion nga e gjithë opozita?
Hannes Swoboda: “Sigurisht, të gjithë anëtarët e partisë që janë zgjedhur si deputetë duhet të futen në parlament dhe të bëjnë punën e tyre si opozitë. Një opozitë nuk ka si të mos punojë jashtë parlamentit. Kjo nuk është e përputhshme me parimet demokratike, është shumë e rëndësishme pasi ne kemi marrëdhënie të mira me partitë, nëse ato punojnë në parlament. Ne nuk mund të kemi marrëdhënie me disa grupe deputetësh, pasi ne besojmë në parlamentarizëm. Edhe nëse ka ankesa për manipulim ose shpërdorime të zgjedhjeve janë instancat gjyqësore ato që vendosin për gabimet që janë bërë dhe organizatat ndërkombëtare. Por njerëzit që të zgjidhen duhet të bëjnë punën e tyre gjithë kohën. Ne duam një opozitë efikase dhe frytdhënëse në parlamentin shqiptar, një opozitë që është e fortë, por që ndihmon qytetarët të zgjidhin problemet e vendit. Të ndihmojë për liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.”/tvklan.al
Gazetare: Erisa Zykaj