Qytetari Branko Shatraj është paraqitur në redaksinë e emisionit “Stop”, pasi ka aplikuar për kartë identiteti dhe pasaportë dhe nuk po pajiset me to, pasi i thonë se ka ndodhur një problem. Qytetarit fillimisht i thanë, se kur janë gjeneruar të dhënat nga regjistrat në regjistrin online, është bërë një gabim nga një punonjës. Por më pas shpjegimet dhe zgjidhja u bllokuan.

“Më datën 1 Nëntor 2024, shkova në Gjendjen Civile Bulqizë për të aplikuar për pasaportë dhe kartë identiteti. Aplikimi nuk u përfundua pasi siç më thanë është bërë një gabim i Gjendjes Civile. Nuk ka plotësuar një fushë nga momenti ku i ka hedhur nga regjistri themeltar në atë elektronik. Gjendja Civile Bulqizë më thanë se tani në dorë e ka Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Tiranë që ta zgjidhë këtë problem. Kam bërë kërkesë nga Bulqiza tani kanë kaluar 20 ditë dhe përgjigje konkrete nuk kam marrë. Më pas jam drejtuar tek zyrat e IdentiTek të cilët më dhanë një numër operatori. Deri para disa ditësh dhe javën e kaluar më thonë që po përpunohet çështja. Dje kur i telefonova më thanë që ata kanë dërguar email tek Gjendja Civile dhe e ka në dorë ajo, me një fjalë Drejtori e Përgjithshme. Ndërkohë që në datën 3 më ka skaduar pasaporta dhe karta e identitetit. Siç mund të kuptohet nuk mund të kryhet asnjë punë. Unë punoj në Maqedoni, tani po më heqin nga puna dhe atje pasi nuk kam kartë identiteti dhe pasaportë”, tha për mikrofonin e “Stop” denoncuesi.

“Stop” telefonoi punonjësen e Gjendjes Civile në Bulqizë, e cila thotë, se nuk e di, ku qëndron tamam problemi, por me të po merret Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Denoncuesi: Nëse keni mundësi të më thoni një format për çështjen time. Çfarë po ndodh?

Punonjësja: Po asgjë, mo Branko. Drejtoria tha, ne e kemi njoftu Brankon. Është vënë në dijeni për çdo problem, që ka.

Denoncuesi: Shikoni këtu, unë nga bashkëqeverisja nuk kam marrë asnjë zgjidhje, me një fjalë asnjë email apo telefonatë. Nuk kam marrë një përgjigje të saktë se çfarë po ndodh. Të lutem mund të më thoni se ku qëndron fiks problemi.

Punonjësja: Drejtoria po merret me problemin tënd. Unë nuk e di fiks, ku të qëndron problemi.

Denoncuesi: Nuk më thoni dot se cila rubrikë nuk është plotësuar, apo është plotësuar gabim?

Punonjësja: O Branko, je njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme për çdo problem, që ke. Të lutem shumë, mirupafshim!

Në përgjigjen e email, qytetarit i thuhet, se aplikimi për pasaportë dhe kartë identiteti është pranuar dhe duhet të klikojë një link.

Por faqja e Identitek është e padisponueshme online dhe duhet të rezervohet takim pranë zyrave. “Stop” telefonon zyrën e Identitek në Bulqizë. Punonjësja thotë se nuk ka drita.

Denoncuesi: Alo përshëndetje! Si jeni?

Punonjësja: Alo! Përshëndetje Branko!

Denoncuesi: Ju lutem, a keni ndonjë informacion në lidhje me çështjen time?

Punonjësja: Për Zotin, tani nuk kemi drita. U bë që në orën 10:00, që s’kemi drita dhe nuk shohim asnjë gjë nëse ka marrë njoftim kjo e Gjendjes Civile, apo jo. S’ka drita, nuk di ç’të të them.

Qytetari u drejtua në Ministri të Brendshme për të pyetur për problematikën e tij, ku sërish i thanë se do t’i kthehet përgjigje me email.

Punonjësi: Do zgjidhet shumë shpejt. Shumë shpejt do dalë përgjigja.

Qytetari: Do ta marr me email?

Punonjësi: Po! Shumë shpejt!

Punonjësja: Më lart se kaq, nuk kemi, ku e çojmë problemin. Më lart se te Sekretaria e Përgjithshme e Ministrisë.

Punonjësi: Ajo e ka dhe më tha mua shumë shpejt do marrë përgjigje.

Por në fakt në përgjigje thuhet vetëm, se janë angazhuar për zgjidhje. Pasi Zyra e Bashkëqeverisjes pranë kryeministrit mësoi ndërhyrjen tonë, qytetari u thirr dhe problemi u zgjidh.

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Jam Ardita, koordinatore e Bashkëqeverisjes.

Qytetari: Po!

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Pranë zyrës së kryeministrit!

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Ju telefonoj lidhur me ankesën, që ju keni adresuar.

Qytetari: Po!

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Besoj, jeni në dijeni. Jeni paraqitur sot edhe në Ministrinë e Brendshme.

Qytetari: Jam paraqitur tre herë, katër herë atje, nuk është hera e parë.

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Po, jemi në dijeni të problematikës dhe nesër nga ora tre e gjysmë, jeni të lutur të paraqiteni pranë zyrave të Identitek. Nesër, sepse Ministria e Brendshme dhe Gjendja Civile janë angazhuar maksimalisht me problematikën tuaj.

Qytetari: Ju faleminderit!

Koordinatorja e Bashkëqeverisjes: Do jetë drejtori i përgjithshëm, do jem dhe unë prezent.

Nuk u deshën as 3 javë që problemi i zotit Branko të zgjidhej.

Qytetari: Ju falenderoj nga zemra ju si gazetarë, që më ndihmuat për zgjidhjen e problematikës. Pa ju nuk do kisha mundur ta zgjidhja këtë problem./tvklan.al