Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha zhvilloi disa takime me mbështetës e simpatizantë të komunave Hotolisht e Polis në Librazhd. Duke u ndalur në reformat e arritjet e këtyre 4 viteve në sektorin e bujqësisë, Basha tha, se  në katër vitet e ardhshme, do të gjashtëfishohet granti për fermerët.

Lulzim Basha: “13 mijë familje përfituan 30 milion dollar, i themi sot se vetëm në vitin 2010 ka 22 milion dollar dhe 4 vitet e ardhshme do të 6-fishohen, se për ne Shqipëria europiane nuk ka kuptim pa fshatin europian.”

Gjatë fjalës së tij kreu i punëve të jashtme kritikoi ashpër politikën e Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si riciklim i ministrave të diktaturës komuniste nën logon “Politika e Re”.

Lulzim Basha: “Me etiketën “Politika e re” të rikthejmë ministrat e diktaturës, ata që gjakosën studentët, ata që shtypën shqiptarët dhe të pasurohen përsëri si monopolist në ortakëri me krimin, vesin dhe konfliktin e interesit.”

Ministri i Punëve të Jashtme Basha bëri një bilanc të investimeve në këto komuna duke theksuar se, gjatë këtij mandati janë investuar 1.7 miliard lekë të vjetra në infrastrukturë, shëndetësi dhe  arsim.

….

Zëvendës kryeministri Genc Pollo në një tubim me mjekë e infermierë të Beratit foli për reformën në sistemin e Shëndetësisë e cila do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit të dytë. Ndër të tjera Pollo kritikoi dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Genc Pollo: “Nuk ka asnjë propozim konkret apo një gjë që shkoqitur që ta marrim vesh se çfarë ka në kokë përveç politikës së re që nuk kuptohet se çfarë është. Për sa kohë fushatën e hap me ministrin e Brendshëm të Partisë së Punës dhe me ministrin e arsimit të Partisë së Punës.”

….

Ministri i bujqësisë Jemin Gjana ka vijuar fushatën e tij në qarkun e Matit. Gjatë fjalës së tij kreu i bujqësisë u kërkoi zgjedhësve që me votën e tyre për koalicionin e djathtë të sigurojnë vazhdimin e reformave të tyre.

Jemin Gjana: “Vendimi që duhet të marrim më 28 qershor është të mos ndërpresim rrugën që kemi nisur.”

Kreu i aleancës Demokratike Neritan Ceka gjatë turit të tij elektoral u ndal në një takim me banorë të zonës së Dumresë në qarkun e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij Ceka tha se Aleanca Demokratike ka një projekt të veçantë në programin e saj për zhvillimin e kësaj zone.

Neritan Caka: “Shteti do bëjë punën e vet do sjelli ujin, do sjelli korentin, do ketë bujqësinë të themi për ta ndihmuar me farëra, me plehra, çmimin e  naftës që prapë duhet ta kthejmë atë uljen për ju. Shteti ka filluar të mendojë më shumë, të punojë më shumë, por ne na duhet dhe një rrugë tjetër që të kalojë që aty  të degëzohet dhe të dalë në Lushnje”

….

Kryetari i PLL Ekrem Spahiu zhvilloi disa takime në qytetin e Korçës ku prezantoi edhe 12 kandidatët e listës shumë emërore të kësaj force politike. Gjatë fjalës së tij Spahiu tha se me programin politik të PLL, Korça mund të zhvillohet më tej në të gjitha resurset e vlerat e saj drejt Shqipërisë Europiane.

Ekrem Spahiu: “Ekzistojnë të gjitha mundësitë, vullneti politik dhe projektet e nevojshme që Korça, ky qytet i traditës, i vlerave patriotike dhe kulturore i resurseve të shumta dhe njerëzve të mirë, atdhetarë e patriot të fitojnë përsëri shkëlqimin e dikurshëm e të thirret Korça zonjë.”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo zhvilloi disa takime me banorë të qytetit të Orikumit në qarkun e Vlorës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Milo u tha të pranishmëve se 28 qershori do të shënojë ndryshimin e qeverisjes drejt Alternativës së majtë europiane.

Paskal Milo: “Që fronti ynë i bashkuar më 28 qershor të jetë maksimalisht efektiv dhe që ne të gjithë së bashku më 29 qershor të  hapim një epokë të re të qeverisjes demokratike, evropiane në Shqipëri dhe ne i kemi të gjitha shanset që ta bëjmë në gjë të tillë.”…/tvklan.al