Turma të mëdha njerëzish, siç duket edhe në këto pamje, bënë homazhe pranë arkivolit të presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të jashtëm dhe 5 personave të tjerë që humbën jetën të dielën në aksidentin tragjik që shkaktoi rënia e helikopterit me të cilin ata udhëtonin, në malet e Iranit veriperëndimor.
Homazhet nisën këtë të martë në Tabriz, kryeqendrën e rajonit iranian të Azerbajxhanit Lindor, ku ndodhi aksidenti. Këtë të martë, trupi i presidentit do të dërgohet për homazhe edhe në Kom, qytetin e tij të Lindjes. Homazhet shtetërore do të vijojnë të mërkurën në Teheran, ndërsa ceremonia e varrimit pritet të nisë të enjten.
Por jo të gjithë iranianët janë hidhëruar për vdekjen e presidentit të tyre. Gjatë natës u hodhën fishekzjarrë, ndërsa qytetarë të guximshëm festuan nëpër rrugë dhe shpërndanë ëmbëlsira. Raisi ka patur një karrierë të gjatë në sistemin iranian të drejtësisë, që e katapultoi më pas në rangjet e larta të drejtimit të vendit.
Ai shquhet për dorën e hekurt kundër të ashtuquajturve “armiq të Republikës Islamike”, ku ndër të tjera veçohet firma për ekzekutimin e dhjetëra militantëve të burgosur të grupit MEK në 1988 kur ai ishte prokuror në Teheran.
Tv Klan