Në 21 shtator 2023 ishim në qytetin e Lezhës, për problemin e qytetarit Dritan Gega, ish-drejtor i shkollës 9-vjeçare “Pashko Vasa”, Shkodër, i liruar nga detyra në vitin 2020.

Dritani tha se prej 22 vitesh ka punuar në arsimin shqiptar. Pas lirimit nga detyra, Dritani iu drejtua gjykatës dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, vendosi me një titull ekzekutiv që ai të dëmshpërblehej me 12 paga.

Por, drejtori i Drap Lezhë nuk e ekzekuton vendimin me arsyen, pasi çështja ishte apeluar. Punonjësi i burimeve njerëzore, Pashk Alia, tha se pranon të varet, nëse ky ekzekutim është i ligjshëm. Ne biseduam edhe me përmbaruesin gjyqësor privat, i cili u shpreh se vendimi është i ekzekutueshëm.

Në përgjigjen zyrtare për këtë problem, mësuam edhe arsyen e përgjigjes së vendosur të punonjësit të burimeve njerëzore. Pashk Alia ka diplomën e ekonomisë agrare në Universitetin Bujqësor të Kamzës. /tvklan.al