Protesta e paralajmëruar për të martën ka dhënë shkëndijën e parë të përplasjes mes Policisë së Shtetit dhe opozitës. Policia e Shtetit me anë të një njoftimi zyrtar deklaron se ka njoftuar Partinë Demokratike se nuk merr përsipër garantimin e protestës, pasi ajo parashikon bllokimin e 6 akseve rrugore kombëtare në të gjithë vendin.

Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.

Por kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se Policia e Shtetit është njoftuar zyrtarisht për protestën dhe se nuk mund ta pengojë atë.

Sakaq mësohet se rreth 1500 efektivë policie do të jenë në terren të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita më 29 tetor. Uniformat blu do të jenë të angazhuar në 6 rrethrrotullimet dhe një segment rrugor në vend ku opozita ka kërkuar leje për të zhvilluar tubimin e tyre. Leja për protestën do të jetë 3 orë, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të zhvillohet në 5 qytete.

Tv Klan