Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Është arrestuar nga policia e Tiranës, personi që vrau dy kushërinjtë e tij në fshatin Grackë, komuna Pezë. Pas vrasjes së dyfishtë, Petrit Karaji ishte larguar nga fshati, duke tentuar të fshihej, në drejtim të paditur, por është ndaluar nga forcat e policisë, disa orë pas vrasjes, duke i sekuestruar dhe armën e krimit.
Grindja e kushërinjve kishte të bënte me ndarjen e disa metrave tokë në kufij me njëri-tjetrin. Pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tre meshkujve të fisit Karaji, në orët e mbrëmjes Petrit Karaji ka shtënë me breshëri automatiku ndaj kushëririt të tij Vezirit, i cili kishte shkuar në shtëpinë e tij së bashku me të ëmën, për të zgjidhur konfliktin e hershëm.
Pas vrasjes së vëllait të madh, për të eliminuar plotësisht meshkujt e shtëpisë rivale, Petriti ka shkuar dhe në shtëpinë e vëllait tjetër viktimë dhe ka qëlluar S. K. Vrasjet brenda familjeve janë rikthyer kështu me një bilanc tjetër tragjik, me vdekjen e dy shtetasve në moshë të re./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj