Dy partitë e mëdha nuk synojnë ngritjen e pragut elektoral për të garuar në zgjedhjet e pritshme paralmentare. Për këtë proces sistemi elektoral do të mbetet e përzier, mazhoritar e proporcional dhe partitë do t’u duhet të përfitojnë minimalisht 2.5% të votave të vlefshme. Gjithsesi, sipas anëtarit të komisionit për reformën zgjedhore Jemin Gjana, ky ndryshim i sistemit elektoral do të kërkonte ndërhyrjen në kushtetutë.
Jemin Gjana: “Pragu është një çështje e fiksuar në kushtetutë, por edhe nëse do të nderhyhet, dhe nëse do të bihet dakord për të diskutuar sisitemin elektoral dhe për të shkuar drejt një sistemi elektoral proporcional, Partia Demokratike ka deklaruar se për zgjedhjet e radhës, për mandatin që vjen, pragu elektoral do të mbetet i pandryshuar dhe pastaj konsultimet mes palëve mund të jenë të tilla që për legjislatura të tjera në vazhdim të ecim hap pas hapi drejt rritjes së një pragu elektoral.”
Ndryshimin e sistemit elektoral nuk e pranojnë aktualisht as socialistët. I angazhuari për reformën zgjedhore Ylli Bufi, megjithëse nuk pranoi të ndalonte, dha një përgjigje evazive për këtë çështje. Ndër të tjera, rritja e pragut elektoral mund të diskutohet edhe pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme pasi për Partinë Demokratike në këtë moment vëmendje duhet t’u kushtohet problematikave të tjera që kanë proceset zgjedhore, siç janë balancimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, listat, komisionet e zonave etj. /tvklan.al