Në një përmbledhje me 17 pika presidenti Ilir Meta argumenton refuzimin për shkarkimin e rektorit të Tiranës Mynyr Koni.
Në procedurën e ndjekur nga ministria e Arsimit, Kreu i Shtetit ka konstatuar jo vetëm shkelje të afateve, por edhe angazhim politik për t’i faturuar rektorit situatën në Universitet.
“Propozimi duket sikur kërkon ta faturojë gjithë përgjegjësinë për gjendjen e sistemit arsimor tek Rektori i Universitetit, gjë e cila nuk është e drejtë në situatën e krijuar”.
Kreu i Shtetit, thotë se për Konin u hartuan dy raporte një në kohën e Lindita Nikollës dhe një pas ardhjes së Besa Shahinit. Sipas tij riaktivizimi i grupi të punës u bë përtej afateve dhe pa një urdhër tjetër të ministrit për rivlerësimin e çështjes, përpos faktit që nga njëri raport në tjetrin ka patur ndryshim të qëndrimit.
Në lidhje me Rekomandimin nr. 5, rezulton se Rektori ti UT-së ka qenë aktiv dhe ka treguar gatishmëri në përmbushjen e këtij rekomandimi të Ministrisë së Arsimit dhe pretendimi se Rektori nuk ka vepruar në këtë drejtim, nuk qëndron dhe është rrjedhojë e një vlerësimi jo të thelluar.
Meta po ashtu thotë se ministrja Besa Shahini ka lajmëruar shkarkimin e Konit 2 dite para se te informonte presidentin dhe se pretendimet e grupit te punës nuk ia ka përcjellë asnjëherë me shkrim rektorit, duke i mohuar të drejtën që këtë proces ta ndiqte ligjërisht.
Argumentet e Presidentit
– Shkelje procedurale dhe të afateve të përcaktuara;
– Angazhim politik për t’i shërbyer një qëllimi të diktuar paraprakisht;
– Diktim i qartë vullneti nga ana e ekzekutivit;
-Tejkalim të kompetencave nga grupet e punës të kontrollit të ngritura nga MASR;
– Shkelje të mekanizmave dhe parimeve ligjorë e kushtetues;
– Qasje subjektive dhe arbitrare;
– Mungesë, apo neglizhencë të qëllimshme komunikimi ndërinstitucional;
– Cenim të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor;
– Mospërputhje ligjore dhe kundërshtim flagrant me parashikimet kushtetuese;
– Presion të hapur dhe publik, përtej frymës së ligjit, mbi Rektoratin e Universitetit të Tiranës;
– Tjetërsim të qëndrimeve institucionale të pambështetura në prova dhe dispozita ligjore;
– Keqpërdorim mediatik;
– Desinformim të publikut;
– Përpjekje të dukshme për të faturuar gjendjen e sistemit arsimor tek Rektorati i Universitetit të Tiranës;
– Mungesë vullneti dhe adresimi tek organet e drejtësisë për zgjidhje të konflikteve;
– Mungesë e një analize shteruese të problematikave;
– Rrezikshmëri për cenimin e autonomisë tëinstitucioneve të Arsimit të Lartë dhe të lirisë akademike.
Tv Klan