Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Presidenti i Republikës Alfred Moisiu ka dekretuar në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, zotin Gjergj Sauli, aktualisht anëtar i kësaj gjykate.
Zoti Sauli 66 vjeç është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar për disa vjet si gjykatës, e më pas si kryetar i byrosë juridike pranë Këshillit të Ministrave. Ka ushtruar për disa vjet profesionin e avokatit dhe prej vitit 2001 është anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kështu me dekretimin e zotit Sauli, presidenti ka rrëzuar kandidaturën e Fehmi Abdiut, i cili ka rrëzuar Gjykatën Kushtetuese që nga viti 1998. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjedh kryetarin e Gjykatës Kushtetuese mes 9 anëtarëve të saj, e dekreton atë dhe e dërgon për votim në parlament. Miratimi i kreut të Gjykatës Kushtetuese realizohet me 50+1 të votave të pjesëmarrësve në seancë.
Votimi në parlament i dekretit të presidentit për zgjedhjen e zotit Sauli në krye të Gjykatës Kushtetuese, duket se do të ketë probleme, pasi krerët e mazhorancës socialiste, duke qenë në mbështetje të Fehmi Abdiut, nuk ishin dakord me zgjedhjen e kësaj kandidature nga presidenti. Edhe pse kryeministri i ka kërkuar presidentit rikandidimin e zotit Abdiu, ai nuk e ka pranuar një propozim të tillë.
Kështu dekreti i presidentit për emërimin e zotit Sauli në krye të Gjykatës Kushtetuese pritet të kalojë provën e parlamentit, nëse do të votohet ose jo nga mazhoranca socialiste./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego