Presidenti i Republikës ka kritikuar përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, për mungesë bashkëpunimi, gjatë një tryezë të përbashkët pune ku ishin të pranishëm anëtarët e KLD-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë. Për kreun e shtetit pavarësisht arritjeve të përmendura në progres-raportin e KE-së, situata në drejtësi vijon të mbetet ende skandaloze, pasi sipas tij 3/5 e vendimeve të formës së prerë janë të pa ekzekutuara.
Bamir Topi: “Ka shumë vendime të formës së prerë, vendim i Gjykatës së Lartë të cilat nuk po ekzekutohen. Vetëm 2 të 5 e vendimeve për ekzekutim janë realizuar. Janë ekzaktësisht 8.868 çështje, skandaloze. Ka dhe strukturën shtetërore, njerëz me përgjegjësi të drejtpërdrejtë të cilët frenojnë zbatimin e vendimit”.
Për presidentin Topi reforma në drejtësi duhet të jetë vizionare dhe integrale, ajo nuk duhet të jetë e inponuar nga politika.
Bamir Topi: “Reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të jetë vizionare, të jetë një reformë komplekse e konsultuar, të mos jetë sporadike, të mos jetë e kondicionuar nga konjuktura të çastit, të cilat mund të jenë dhe politike, të mos jetë e kondicionuar as nga interesa lobiste apo individuale, por të jetë një reformë integrale”.
Duke propozuar krijimin e një strategjie afatgjatë për reformën në drejtësi. Presidenti Topi i ftoi anëtaret e KLD-së, Gjykatës së Lartë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme në debate të hapura pasi sipas tij drejtësia tashmë kërkon të standardizohet si në procesin e gjykimit ashtu edhe atë të vendimmarrjes./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
Operator: Izmir Hajdari