Presidenti Bamir Topi, takoj komandantin  flotës detare amerikane në Europë, njëkohësisht komandant i Forcave Aleate në Napoli, Admiralin Mark Fitzgerald. Një takim që ka shërbyer për të diskutuar mbi atë që u cilësua çështje e ndjeshme për shoqërinë shqiptare siç është çaktivizimi i municioneve. Presidenti ka kërkuar ndihmën e aleancës për kryerjen e operacioneve të demontimit për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë.

Bamir Topi: “Natyrisht diskutuam edhe për çështjet që janë mjaft sensitive, çështjet e dizaktivizimit të municioneve në mënyrë që ky të jetë një proces konstant i pa ndërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale në bashkëpunim me strukturat e NATO-s që të mos kemi më situata dramatike që vijnë pikërisht nga ky lloj aktiviteti”. 

Mark Fitzgerald: “Ashtu si e përmendët edhe ju, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t’ju ndihmojmë për hartimin e  miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë. Ju përgëzojmë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka shënuar Shqipëria, ashtu si dhe diskutuam hyrjen në NATO nuk është një fund, por është një fillim dhe megjithëse ka shumë gjëra të tjera për të bërë, ne do t’i bëjmë këto bashkë si partner”.

Gjatë deklaratës për shtyp, presidenti Topi garantoi ushtarakun e lartë të NATO-s për forcim të zbatimit të ligjit pasi siç dhe u shpreh, anëtarësimi në NATO kërkon seriozitet maksimal në zbatimin e shtetit ligjor.

Admirali Fitzgerald, vlerësoi rolin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse si Afganistani, Irak apo Bosnje-Hercegovinë. Provë kjo sipas ushtarakut të lartë të NATO-s, se Shqipëria është anëtare e bashkësisë ndërkombëtare. Fitzgerald u prit pasditen në takim dhe nga Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Izmir Hajdari