Kryeministri Edi Rama duke folur në kuvend për ndryshimin mes ligjit të mbetjeve të miratuar nga qeveria e mëparshme dhe atij që po miraton qeveria sot, tha se kemi të bëjmë me një ndryshim të madh.
Rama tha se ky ky pr/ligj është në përputhje me direktivat e BE dhe se është hapja e rrugës për t’i dhënë një impuls të domosdoshëm industrisë.
Sipas tij, nëse nuk do të bëhej kjo ndërhyrje, do të falimentonte industria e riciklimit, dhe do të liheshin rrugëve 3200 punonjës të punësuar direkt.
“Në vitin 2013 nuk kishte asnjë lloj kapaciteti në infrastrukturë dhe në burime njerëzore, që të mund të garantonte zbatimin e ligjit, ashtu sikundër ligji vetë ishte problematik në aspektin e garancive të kontrollit.
Nëse tre vjet më parë nuk kishte as dhe një laborator të vetëm për këtë punë, sot ka një laborator të standardeve më të larta europiane, të çertifikuar nga Bashkimi Europian.
Nëse në vitin 2013, sipas ligjit, mbetjet mund të hynin nga çdo pikë doganore dhe dihet se çfarë ishin pikat doganore në vitin 2013, sot është e qartë në ligj se mbetjet hyjnë vetëm në tre pika, që disponojnë kapacitet të plotë kontrolli.
Sot nuk kemi thjesht një laborator modern, të investuar nga Bashkimi Europian, që bën të mundur të gjithë kontrollin dhe analizat fizike, kimike dhe mikrobiologjike të çdo materiali që hyn në Shqipëri, por kemi edhe një ekip njerëzish, edhe ata të trajnuar nga Bashkimi Europian. Një program i tërë i Bashkimit Europian është vënë në punë vetëm për rritjen e kapaciteteve fizike dhe njerëzore, në këtë fushë.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm. Në ligjin e sotëm, po ta shikoni dhe jo t’i referoheni mundësisë për të bërë “poemën e mjerimit” të radhës,duke i marrë shqiptarët për budallenj, përjashtohet çdo lloj mbetjeje për arsye incenerimi, përveç pjesës së listës.
Çdo mbetje importohet vetëm nga industria e riciklimit – 3200 punonjës sot, të siguruar – dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të bëjë asnjë lloj eksporti nga andej-këtu, apo importi nga këtu. Kjo është një masë, së pari, në linjë të plotë me direktivën e Bashkimit Europian dhe së dyti, në linjë të plotë me nevojën tonë për të stimuluar riciklimin, tanimë që kemi kontroll të plotë mbi gjithë pjesën tjetër.
Do t’ju mjaftonte një bisedë me industrinë, për të kuptuar thelbin e këtij ligji dhe për të kuptuar që ky ligj, jo vetëm nuk kërcënon asgjë, siç kërcënonte ligji i përpara tre viteve, por stimulon zhvillimin e një industrie që sot e ka të domosdoshëm importin e këtyre mbetjeve të ngurta të listës së gjelbër, të reduktuar në maksimum. Në vitin 2010, kur bëhej beteja kundër këtij fenomeni, ju e kishit listën me 500.
Sot është e qartë se, nëse nuk do të bënim këtë ndërhyrje, do të falimentonim industrinë e riciklimit, do të linim rrugëve 3200 punonjës të punësuar direkt, – nuk bëhet fjalë për të punësuarit indirektë që ka industria, me rrjetet që mbledhin mbetjet e riciklueshme, – nuk do të ishim në pajtim me direktivën europiane dhe do të mbyllnim një front punësimi dhe pastrimi mjedisor.
Masa paralele që ne do të marrim është heqja e taksës 50 lekë [të reja] për kg plastikë, e cila pengon stimulimin e mëtejshëm të mbledhjes së mbetjeve brenda.
Duke hequr taksën për mbetjet brenda, nuk do të lëvizim taksën për mbetjet nga jashtë, që është 100 lekë [të reja] për kg. E pavarësisht se për mbetjet nga jashtë është një taksë dyfish në raport me mbetjet e brendshme, nuk ka stimul dhe kapacitet financimi për rrjetin e brendshëm me taksën 50 lekë për kg.
Heqja e kësaj takse dhe lënia në fuqi e taksës së importit do të rrisë kapacitetet e brendshme dhe do të bëjë që në një hark trevjeçar të kemi një pamje krejt tjetër të kapacitetit të kësaj industrie për të ricikluar mbetjet që janë brenda. Sot industria nuk e bënë dot këtë gjë, sepse nuk ka interes dhe kostoja e ndërtimit të të gjithë network-ut për mbledhjen e plastikës, të letrës etj. është shumë më e lartë sesa përfitimi, nëse paguan këtë taksë.
Ky ligj është hapja e rrugës për t’i dhënë një impuls të domosdoshëm industrisë. Ju shikoni vetëm plantacionet, por flasim për një industri që tre vitet e fundit ka vazhduar të kryej investime serioze në infrastrukturën e vet. Në Shqipëri ka fabrika të përpunimit të mbetjeve të certifikuara nga Bashkimi Europian.
Nuk ka asgjë më të papërgjegjshme, sesa këto fabrika t’i lëmë të mbyllen për shkak të kësaj nevoje. Nuk ka asgjë më të përgjegjshme, sesa të çelim këtë rrugë sot që kemi mundësi të kontrollojmë dhe që disponojmë atë që kemi punuar dy vjet e gjysmë për ta ndërtuar. Sot disponojmë edhe për mbetjet, si për të gjitha të tjerat në zonat urbane, hartën dixhitale të strukturës fizike, tokësorë dhe nëntokësore të vendit tonë. Me hartën dixhitale të mbetjeve urbane, që është një nga dhjetëra e dhjetëra hartat e kontrollit të territorit, sot, ne kemi një pamje të qartë të gjithçkaje që ka në territorin e Shqipërisë në raport me mbetjet.
Kush do të ketë këtu kurajon të marrë fjalën, – kurajon në raport me veten, jo me mua, sepse kur njeriu kapërcen raportin me pasqyrën, nuk e ka problem të bëhet lolo në publik, se të kesh ndërtuar Lazaratin dhe të flasësh sot për fenomenin e marijuanës, sikur të ka rënë barra të çlirosh Shqipërinë, është një maskaradë e madhe, – të kujtojë fushën e plehrave të Elbasanit dhe ta shikojë si është sot.
Ka edhe “Sharrë”, patjetër. S’kemi pretenduar se i kemi bërë të gjitha, sepse po t’i bënim të gjitha, nuk do merreshim këtu me ju, por kushedi ku do na kishin marrë, për të zgjidhur problemet e botës. Ne nuk jemi magjistarë, por kemi bërë atë që ju as nuk e çonit nëpër mend. Kur të merrni fjalën, kujtohuni se atje në Elbasan kishit lënë një mal kërme, që iu merrte frymën të moshuarve dhe fëmijëve çdo natë dhe sot po mbillet një pyll i tërë. Të gjitha plehrat janë spostuar që aty dhe po ndërtohet një impiant model, siç do të ndërtohet edhe në zonat e tjera. “
/tvklan.al