Gjatë prezantimit të paketës antikrizë, zv/kryeministrja Belinda Balluku teksa u ndal tek energjia elektrike theksoi se çelësi është kursimi. “Ka ardhur momenti që të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për të kursyer”, tha ajo. Në këtë kontekst Balluku tha se edhe qeveria do të kontribuojë. Zv/kryeministrja prezantoi projektin i cili konsiston në mbështetjen financiare me 70 përqind të kostos për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallateve.
“Qeveria përveç thirrjes për kursim do të kontribuojnë përsa i përket dhe një subvencioni të rëndësishëm. Një familje shqiptare konsumon nga 20 deri në 30 përqind të energjisë për ngrohjen e ujit. Për këtë arsye ne kemi vendosur përmes agjencisë së eficencës të enegjisë që të nisim një projekt i cili do të nisë me 2 mijë abonentë dhe më pas sipas ecurisë të këtij projekti që unë jam e sigurt që do jetë një projekt i cili do të gjejë zbatim menjëherë dhe qytetarët do të kenë mundësi që ta aplikojnë për këtë në mënyrë transparente. Ne do të vazhdojmë edhe pas 31 marsit me fazën e dytë të projektit. Ky projekt konsiston në mbështetjen financiare, 70 përqind të kostos për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallateve dhe si rrjedhojë ngrohjen e ujit që konsiston në një ulje të konsumit energjetik nga 20 deri në 30 përqind”./tvklan.al