Prokuroria deklaron se ka arritur të vërtetojë akuzën e policisë për rrahjen me pasojë vdekjen e Gazmend Tahirllarit nga Korça. Në seancën e radhës në gjykatën e këtij rrethi prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar dënimin për të gjithë të pandehurit e kësaj çështjeje. Për punonjësin e Policisë së Krimeve të Korçës Florec Balliu, akuza kërkon dënimin me 15 vjet burg si autori që shkaktojë vdekjen e viktimës Tahirllari. Për të plotfuqishmin e zonës Dashamir Danolli u kërkua 4 vjet burg, për komandantin e toges 6 muaj dhe për 3 policët e tjerë që kanë shoqëruar viktimën në komisariat nga 4 muaj heqje lirie për secilin. Këta të fundit akuzohen për moskallzim krimi.

Javën e ardhshme trupi gjykues do të dëgjojë edhe pretendimet e palës mbrojtëse të kësaj dosjeje. Ky është ndër proceset e pakta që përfundojnë gjatë një kohe të shkurtër. Gazmend Tahirllari u godit për vdekje në fillim të këtij viti në një fshat të Korçës nga forcat e policisë të cilët i kishte kundërshtuar. Ky akt nuk u pranua fillimisht nga forcat e policisë së këtij qyteti, por pas denoncimit të familjarëve të viktimës, një grup ekspertësh nga prokuroria e përgjithshme, mjekësia ligjore e të tjerë, morën pjesë në zhvarrimin e Tahirllarit për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tij. Pasi u mësua se ai kishte humbur jetën si pasojë e dhunës, u arrestuan edhe punonjësit e policisë që u konsideruan përgjegjës për këtë ngjarje./tvklan.al