Përleshje të dhunshme shpërthyen këtë të premte në Athinë, gjatë manifestimit në përkujtim të aksidentit të rëndë hekurudhor të dy viteve më parë që i mori jetën 57 personave.
Qindra mijëra njerëz u mblodhën në qytete të ndryshme të Greqisë. Manifestuesit sulmuan me bomba molotov selinë e parlamentit në qendër të kryeqytetit.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe hodhi ujë me dy autobote për të shpërndarë manifestuesit e dhunshëm. Policia greke bëri të ditur se ka ndaluar 125 persona ku 57 prej tyre u arrestuan, ndërsa 29 persona kërkuan ndihmë mjekësore.
Manifestimi u zhvillua në mbështetje të një greve të përgjithshme të sektorëve të tranportit rrugor, ajror e detar. Greva pason publikimin e rezultateve të një analize që tregoi se mangësitë në sigurinë e sistemit hekurudhor që shkaktoi aksidentin e 28 Shkurtit të vitit 2023 të TEMPIT, më i rëndi në historinë e vendit vazhdojnë të jenë prezente edhe sot e kësaj dite dhe nuk janë korrigjuar.
Vështirësitë lidhen me mungesën e investimeve që mungojnë që prej krizës financiare të 2010-ës, duke sjellë mbingarkesë të hekurudhës dhe mungesë të theksuar të koordinimit.
Tv Klan