Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë një sinjal për SHBA-në duke miratuar ndryshime në doktrinën bërthamore të Rusisë.
Doktrina e përditësuar, thekon se një sulm me avionë luftarakë, dronë apo raketa mund të konsiderohet si kërcënim për sovranitetin e Rusisë. Sipas kësaj doktrine, çdo agresion kundër Rusisë nga një shtet i cili është anëtar i një koalicioni do të konsiderohet nga Moska agresion nga i tërë koalicioni.
“Tani rreziku i një përplasjeje të drejtpërdrejtë të armatosur midis fuqive bërthamore nuk mund të nënvlerësohet, ne po lëvizim nëpër territore të paeksploruara ushtarake dhe politike,” tha Sergei Ryabkov, zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë.
Kjo pason vendimin e Uashingtonit për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi. Ndërkohe Presidenti Volodymyr Zelensky para parlamentit deklaroi se lufta ka arritur në një moment vendimtar. Ai u shpreh se Ukraina do të prodhojë të paktën 30,000 dronë me rreze të gjatë veprimi vitin e ardhshëm.
Volodymyr Zelensky, Presidenti i Ukrainës: Putin ka sjellë 11,000 trupa të Koresë së Veriut në kufijtë e Ukrainës. Ky kontingjent mund të rritet në 100,000. Ndërsa disa liderë evropianë mendojnë për disa zgjedhje, Putini është i fokusuar në fitimin e kësaj lufte.
Ai përjashtoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja derisa të arrihet paqja. Nga ana tjetër mes tensioneve ne rritje Suedia ka filluar t’u dërgojë udhëzime qytetarëve të saj se si të përballen në një krizë ose një lufte.
Broshura e fundit “Në kohë krize ose lufte” doli në vitin 2018 dhe botimi i ri do të fokusohet më shumë në luftën si pasojë e agresionit rus të Ukrainës në vitin 2022. Broshura e re prej 30 faqesh jep shembuj konkretë për gjetjen e strehimoreve për bomba. Gjithashtu sesi njerëzit t’u tregojnë fëmijëve për luftën dhe përfshin informacione se çfarë duhet bërë në rast të përdorimit të një bombe bërthamore.
Klan News