Presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA për të goditur Rusinë. Kjo është një lëvizje që përbën një ndryshim të madh të politikës amerikane, duke plotësuar njëherësh edhe kërkesën permanente të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për përdorimin e tyre përtej kufirit.

Autorizimi i Biden vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj përfshirjes së trupave koreano-veriore në këtë konflikt, ku mijëra ushtarë janë vendosur në Kursk në mbështetje të Rusisë. Raketat amerikane ATACMS, kanë një rreze veprimi në një distancë deri në 306 km. Ata pritet te lëshohen brenda ditësh fillimisht në drejtim të rajonit të Kurskut.

Vendimi i Biden vjen kur kanë mbetur dy muaj nga mbarimi i mandatit të tij presidencial. Nuk është e qartë nëse Presidenti i zgjedhur Trump do ta ndryshojë këtë vendim kur të marrë detyrën.

Ndërsa reagimi i parë erdhi pikërisht nga djali i Trump, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se Biden dhe industria ushtarake kërkon ta çojë botën në Luftën e Tretë Botërore përpara se Donald Trump të marrë detyrën si president dhe të realizojë paqen e të shpëtojë jetë njerëzish. Edhe këshilltari i afërt i Trump për politikën e jashtme, Richard Grenell e kritikoi vendimin, duke e cilësuar si “përshkallëzim të luftës para largimit nga zyra të Biden”.

Në Ëashington vendimi ka rritur tensionin, pasi ky autorizim mund të shtyjë presidentin rus Vladimir Putin që të hakmerret kundër SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Vetë Putini ka paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina do të paraqiste një përshkallëzim të madh.

Tv Klan