Armiqtë e Perëndimit u mblodhën në Rusi për samitin e BRICS-it, grupit të vendeve që synon të krijojë një rend të ri botëror.
Mikpritësi i takimit, presidenti rus Vladimir Putin. Ai përshëndeti përzemërsisht presidentin kinez Xi Jinping në hapjen e samitit dhe theksoi se bashkëpunimi në rritje midis Moskës dhe Pekinit është faktor stabilizues për botën.
Putini e quajti Xi-në “mikun e tij të dashur” dhe shtoi se Moska dhe Pekini do të punojnë për krijimin e një rendi të ri dhe drejtë botëror.
Ky rend ka filluar të krijohet dy vjet e gjysmë me parë, kur Rusia nisi luftën e agresionit ndaj Ukrainës. Kina është mbështetësja kryesore në prapaskenë, pasi përveçse ble naftë, gaz dhe lëndë të para nga Rusia me çmim tepër të ulët, plotëson vakumin e lënë në ekonominë ruse nga Perëndimi kolektiv që ka vendosur sanksione të ashpra. Kjo mundëson kapitalin për ekonominë ruse të luftës.
Në këtë pikë të luftës në Ukrainë, mendohet se Kina ka nxitur aleatin tjetër, Korenë e Veriut, të dërgojë trupa në Ukrainë.
Presidenti kinez Xi Jinping i tha Vladimir Putinit të Rusisë se situata ndërkombëtare është e kapluar nga kaosi, por partneriteti strategjik mes Pekinit me Moskën mbetet një forcë për stabilitet mes ndryshimeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në një shekull.
Xi dhe Putini u zotuan në maj për një “epokë të re” partneriteti midis dy rivalëve më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara, që ata e konsideruan si një hegjemon agresiv të Luftës së Ftohtë që mbjell kaos në të gjithë botën.
Përveç presidentit kinez, në Rusi ka mbërritur edhe kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të BRICS-it.
Kjo aleancë vendesh ka propozuar krijimin e një sistemi të ri pagesash ndërkombëtare që do të jetë alternativë ndaj rrjetit global të transfertave bankare SWIFT. Kjo do ta lejojë Moskën të shmangë sanksionet perëndimore dhe të bëjë tregti me partnerët.
Samiti i vendeve të BRICS-it mbahet në qytetin rus Kazan. Pjesëmarrës këtë vit në samit është edhe presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan.
Klan News