Vaqarri ka tashmë një qendër të re për shërbimet komunitare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi ambientet e reja tha se falë investimeve të bashkisë, si në qendër ashtu edhe në periferi, shumë shpejt Vaqarri do jetë si një lagje e Tiranës.
“Brenda kësaj dekade Vaqarri do të quhet një lagje e Tiranës. Njësia administrative as nuk krahasohet me Njësitë SAadministrative 1, 2, 3, 4, 5 në Tiranë, të cilat kanë ngelur në ato ambientet e vogla dhe modeste, ndërkohë që shërbimet janë rritur. Po ndërtojmë duke i paraprirë Tiranës që do jetë dhe jo Tiranës siç ka qenë. Ndaj, më vjen mirë që kemi një ndërtesë me dy volume. Një volum është Njësia Administrative e Vaqarrit, kurse volumi tjetër Qendra Rinore dhe Pallati i Kulturës”, tha ai.
Veliaj tha se qendra e re komunitare do të rrisë ndjeshëm vlerën e pronës.
“Brenda pranverës do të bëjmë hapjen zyrtare të qendrës. Do të përgatisim të gjithë Njësinë Administrative të rikthehet në Vaqarr dhe pastaj do të jetë sfidë për komunitetin sesi do ta gjallërojmë me kulturë, rini dhe art. Duke e bërë tërheqëse, kemi rritur vlerën e të gjitha pronave përreth. Kjo qendër do të jetë një bizhu dhe kjo njësi administrative po bëhet shumë herë më e lakmueshme sesa disa nga ato të Tiranës së vjetër”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u ndal edhe tek krijimi I hapësirave për dy varreza të reja, në veri dhe në jug të Tiranës.
Tv Klan