Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale disa pamje ku krahason vitin 2013 me 2025 në Shqipëri, të cilat i quan “videokartolinë të transformimit epokal në sektorik energjetik”.

Krahas pamjeve, Rama shkruan se në vitin 2013 Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet dhe humbjet katastrofike të energjisë.

Ndërkohë, Kryeministri thotë se sot jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon dhe kemi një volum investimesh që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt të tij qeverisës.

Për uljen e çmimit të energjisë, Kryeministri shprehet se përfitojnë 1 milionë abonentë.

“Mirëmëngjes, dhe me këtë videokartolinë të transformimit epokal në sektorin energjitik prej vitit 2013, kur Shqipëria ishte vrimë e zezë në mes të Europës me vjedhjet e humbjet katastrofike të energjisë, radhët e gjata të gjysmës së popullit për të paguar faturat edhe për gjysmën që s’paguante, lëvizjet skandaloze të çmimit e zhurmat e gjeneratorëve nëpër rrugë, e deri sot kur jemi prodhuesit më të mëdhenj të energjisë diellore në rajon, kemi shërbime të digjitalizuara e një volum investimesh në vazhdim që do të na japin pavarësinë e plotë energjetike brenda mandatit të katërt, ndërkohë që kemi vendosur uljen e parë në 35 vjet të çmimit për konsumatorët familjarë, nga e cila përfitojnë mbi 1 milionë abonentë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në “Facebook”.

/tvklan.al