Pas konkursit të shpallur në Shtator të vitit të kaluar për projektet e reja që do t’i shtohen ndërtimit të zyrave dhe krijimit të hapësirave të shërbimeve bashkëkohore për adminstratën publike, Kryeministri Rama prezantoi programin e inftastrukturës “Ura për Shqipërinë 2030”.

Edi Rama: Synojnë të vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe ti japin mundësi sipërmarrjes të bëjë biznes duke hyrë në marrëdhënie me shtetin.

Spanja e Italia do të shërbejnë si modele për zhvillimin e pronës publike.

Edi Rama: Të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime dhe bashkëpunime komplekse me sektorin privat.

Rama tha se do të shmangen paratë e buxhetit të shtetit për godina të rrënuara, ndaj dhe ftoi të gjithë investitorët vendas të bëhen pjesë e projekteve të reja.

Edi Rama: Të gjithë sipërmarrësit të ndihen të mirëseardhur, siç është përfaqësuesi i pronës shtet për zhvillim ku trokitet dhe ne bëjmë bashkë një zhvillim.

Por cilat janë disa nga godinat shtetërore që pritet të marrin udhë përmes këtij programi, pjesë e të cilit është edhe stadiumi i ri “Selman Stërmasi”?

Edi Rama: Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare, i polit qeveritar që do të na kursejnë jashtëzakonisht shumë shpenzime për qira, Kadastrën e re që është një domosdoshmëri.

Blendi Gonxhe: Janë 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës shtetërorë që do të gjejnë strehim në megakompleksin qeveritar në kryeqytet. Me projektin e ri, “Selman Stërmasi”, përpos të qenurit një stadium, do të jetë një pol i jashtëzakonshme zhvillimi, i vendosur në zemër të Tiranës.

Parkimet nëntokësore shihen si iniciativa të bashkisë që i vijnë në ndihmë këtij programi.

Erion Veliaj: Do ndërtojmë një parkim tjeter tek Pazari i Ri, një tjetër do bëjmë një parkim tek ish-Garda, edhe tek Bulavardi i Ri po kërkojmë kushte parkimi. Siç e kërkoi edhe Rama dikur, sot kërkojmë minimalisht 4 ose 5 kate poshtë për parkim.

Korporata Shqiptare e Investimeve pritet t’i japë zgjidhje çdo konflikti me pronësinë.

Edlira Kokona: Pronat publike me pretendime parablerje do mbeten të tilla, projektet e reja janë çliruar nga problemet e pronësisë.

AIC, sipas Kryeministrit do jetë përfaqësues i pronarit të pronës shtet për zhvillim, ku mund të trokasë çdo investitor vendas apo i huaj.

Tv Klan